September 11, 2024
Aktualitet Lajmi i fundit

Protesta para Bashkisë, bllokohet qendra e Tiranës, policia me masa të forta

Policia e Shtetit bën me dije se ka përgatitur një plan të detajuar masash për protestën e radhës së kërkuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit përpara bashkisë së Tiranës, që do të mbahet pasditen e sotme rreth orës 16:30 minuta.

“Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se, sot, prej orës 16:00 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe”, shkruhet në njoftimin e Policisë.

Duke qenë se në protestat e mëparshme janë shënuar dhe incidente të ndryshme, policia iu kërkon edhe njëherë pjesëmarrësve dhe organizatorëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos përdorin mjete të forta apo molotov, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune”, vijon njoftimi.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e mbështetur dhe nga Rithemelimi prej disa javësh kërkon dorëheqjen e kryebashkiakut Veliaj në lidhje me dosjen 5D.