Larg zhvillimeve të politikës e drejtësisë, në shoqërinë e kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci dhe ministreve Spiropali e Kumbaro, kreyeministri Edi Rama e kaloi të martën në veri të vendit. Nga Lugina e Thelit ku vizitoi një prej investimeve më të reja turistike, Rama paralajmëroi amnisti për të gjithë ata që kanë ndërtuar pa leje në këtë zonë.
“Gjobat për ndërtim pa leje, në këtë zonë do t’i fshijmë të gjitha. Ju keni ndërtuar pa leje sepse nuk keni pasur mundësi të merrni certifikatën e tokës që u takon, deri nga qershori do ta kemi gati këtë paketë. Me ligjin që kemi bërë duhet të bëhet procedura e firmave të gjithë të bien dakord, të merret ajo certifikata.”
Duke përsëritur ftesën për emigrantët që të kthehen e të investojnë në agroturizëm, kryeministri Rama premtoi edhe më shumë lehtësi fiskale për këta të fundit.
“Po mendojmë të bëjmë edhe një gjë tjetër, të mbështesim për një periudhë kohe pa taksa fare që mos të ketë asnjë lloj takse, vetëm këto sigurimet e punonjësve dhe do të vendosim edhe një fond për mbështetje financiare.”
Në përpjekje për të bindur banorët e zonës se pse ja vlen të investojnë në Theth, kryeministri Rama dha edhe këto argumente.
“Këtu gjithnjë e më shumë njerëz vijnë, s’ka nevojë të shkoni ju në Itali, Angli e Gjermani, se vijnë Italianët, gjermanët, anglezët këtu edhe ju paguajnë për të gjithë shërbimit që ju bëni dhe juve shtëpinë tuaj, apo nuk rrohet edhe më gjatë këtu se ajri, s’është si në Tiranë. Plus që edhe ato kanalet e ujërave të zeza të politikës këtu s’prekin, keni malet që iu mbrojnë.”
Veç mbështetjes financiare e fiskale, kryeministri Edi Rama premtoi edh vijim të investimeve nga ana e qeverisë për t’i ardhur në ndihmë zhvillimi të turizmit në Theth dhe jo vetëm.