Katër policë u vranë dhe katër të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e të shtënave me armë në një shtëpi në Charlotte të Karolinës së Veriut, gjatë operacionit për arrestimin e një të dyshuari.
Shefi i policisë Johnny Jennings e quajti incidentin më tragjikun në karrierën e tij 32-vjeçare të zbatimit të ligjit.
Oficerët mbërritën në vendngjarje për të ekzekutuar një urdhër-arresti për armëmbajtje pa leje ndaj një të dënuari dhe u vunë në shënjestër sapo iu afruan shtëpisë së tij.
Pas neutralizimit të agresorit, policia hyri në banesë ku hasi në rezistencën e një personi të dytë, i cili gjithashtu hapi zjarr ndaj tyre.
Më pas, operacioni zgjati për disa orë dhe të shtëna u dëgjuan herë pas here, deri në momentin kur forcat speciale hyn në ndërtesë dhe neutralizuan të dyshuarin.