October 2, 2024
Bota Lajmi i fundit

“Vuçiç po na kërcënon me luftë”, Bosnja në alarm, Presidenti serb: Makineri gënjeshtrash kundër nesh

Fjalimi i Presidentit serb Aleksander Vuçiç ditën e hënë, ku paralajmëroi se miratimi i rezolutës për Srebrenicën në OKB do të nënkuptonte hapjen e kutisë së Pandorës, ka shkaktuar alarm në Bosnjë.

Në një letër dërguar një sërë organizatave ndërkombëtare, si NATO dhe EUFOR, shoqata e viktimave dhe dëshmitarëve të genocidit dhe Lëvizja e Nënave të Srebrenicës kërkojnë dërgim të trupave në kufi, përballë atyre që i shohin si kërcënime për luftë.

“Pyesim se çfarë nënkupton hapja e “Kutisë së Pandorës” me armët e siguruara nga Rusia dhe Kina? A nënkupton një luftë të re apo vazhdimin e ëndrrave të papërmbushura të Presidentit serb? Vuçiç është një person që ka kërcënuar publikisht se për një serb do të vriste qindra myslimanë dhe deklaratat e një personi të tillë duhet të merren seriozisht. Ne ftojmë të gjithë përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar të marrë seriozisht kërcënimet dhe të dërgojë me urgjencë forca të NATO-s në kufi”.

Nuk ka vonuar reagimi i Vuçiçit, i cili përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, sulmoi atë që e quajti makineri të gënjeshtrave rajonale dhe botërore kundër tij. Ai hodhi poshtë pretendimet se kishte kërcënuar me luftë: “Edhe pse në konferencën për shtyp fola pa mëdyshje për nevojën e ruajtjes së paqes, ju referova faktit se miratimi i një rezolute për Srebrenicën në Kombet e Bashkuara do të nënkuptonte hapjen e kutisë së Pandorës. Me këtë kisha parasysh një numër të madh rezolutash që do të dalin para OKB. Sot, të gjitha mediat rajonale, nënat e Srebrenicës e të tjerë, thonë se kutia e Pandorës lidhet në fakt me një luftë kundër fqinjëve tanë, me armatosje të mëtejshme, edhe pse ishte plotësisht e qartë se nuk kishte të bënte me këtë”.

Vuçiç e mbylli mesazhin e tij, duke thënë se e vërteta do të fitojë përballë fabrikës së gënjeshtrave kundër Serbisë.