November 29, 2024
Lajmi i fundit Sociale

“Dy pleq në shtëpi kemi mbetur”, Shqipëria ka humbur mbi 7.7 miliardë euro në 10 vite nga emigrimi

“Jashtë, jashtë. Dy pleq në shtëpi kemi mbetur. Kanë ikur jashtë.”

Janë gati 400 mijë shqiptarë, kryesisht të rinj që kanë emigruar dekadën e fundit. Shumë është thënë e është bërë në 10 vite, por pak ka ndikuar në zbehjen e dëshirës për t’u larguar nga vendi.

“Ndalni shpopullimin; 50 për qind e maturantëve duan të largohen… janë këto disa nga pankartat e atyre që në këtë 1 Maj kërkojnë nga politik-bërësit të hartojnë programe për të mbajtur të rinjtë në vend.”

Njerëzit, si kapitali më i çmuar në një shoqëri, kur emigrojnë, i krijojnë humbje të mëdha vendit, edhe në aspektin ekonomik. Vetëm për edukimin e një të riu me shkollë të mesme vendi shpenzon 19 mijë e 500 euro. Me një përllogaritje të thjeshtë, Shqipëria ka humbur mbi 7.7 miliardë euro në 10 vite.

“Do na mbante në vend një punë e  mirë, siguria në punë dhe jetesën e përditshme dhe kushtet e tjera. E kundërta do të ndodhte nëse këto nuk do të plotësoheshin”, tregojnë studentet.

Largimi vetëm në një drejtim ka bëtë që tregu i punës të vuajë për burime njerëzore si kurrë më parë. Në një dekadë nga Shqipëria kanë ikur rreth 150 mijë elektricistë, hidraulikë e punëtorë ndërtimi, rreth 55 mijë shoferë, kamerierë e banakier, 35 mijë bujq e blegtorë. Emigracioni ka përfshirë e “trurin” e vendit me 11 mijë e 500 mjekë, infermierë e punonjës në teknologjinë e informacionit të larguar.

“Sot i kemi dërguar qeverisë një kërkesë posaçërisht për ndërtimin e një strategjie për ndalimin e shpopullimit”, tha Kol Nikolla, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë.

Veç kushteve të jetesës, pagat janë një arsye se pse shqiptarët emigrojnë. Me gjithë rritjet, sot një i punësuar në vend merr mesatarisht vetëm 4.7 euro për një orë pune nga 5.6 dollarë që është mesatarja e Rajonit. Krahasuar me ata që punojnë në Bashkimin Europian, një shqiptar merr aktualisht gati 7 herë më pak.