November 29, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

“Flakë në det”, në pranga 3 të shumëkërkuar nga drejtësia, kontrolle në disa banesa e subjekte tregtare

Tre persona të tjerë janë arrestuar me firmë të GJKKO-së në kuadër të operacionit të koduar “Flakë në det”, për të goditur një grup kriminal që merret me trafikun e drogës në rrugë detare dhe tokësore nga Turqia në Shqipëri dhe më pas drejt vendeve të BE-së.

Operacioni është vijimi i atij të ndërmarrë më 15 gusht 2023 dhe deri tani ka çuar në pranga dhe të njohurin si baroni i drogës Gëzim Çela, Komisarin e Kurbinit, Dritan Metaj, mik i Çelës dhe disa anëtarë të tjerë të grupit kriminal.

Në pranga me kërkesë të SPAK dhe firmosur nga GJKKO më 28 prill 2024, kanë rënë këta persona: Alket Deda, Ksenofon Bodo, Selami Lushkaj.

Masat e sigurimit ndaj personave nën hetim janë ekzekutuar nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në datën 30 prill 2024. Gjatë ekzekutimit të vendimit për caktimin e masave të sigurimit, është ushtruar kontroll në disa banesa dhe subjekte tregtare, informoi sot SPAK.

“Vijon operacioni “Flakë në det”. Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale, në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, si dhe Forcat e Sigurisë Kombëtare, në kuadër të procedimit penal të vitit 2023 të regjistruar pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, finalizuan me sukses fazën e dytë të operacionit “Flakë në det”. 

Gjatë operacionit u zbatuan urdhrat e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi ekzekutimin e vendimeve të datës 29.04.2024, të Gjykatës Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, në kuadër të procedimit penal të vitit 2023, në lidhje me ekzekutimin e masave së sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, për shtetasit:

A. D. alias D. D., 37 vjeç, banues në Fushë Kuqe;

S. L., 51 vjeç, banues në Fier;

K. B., 42 vjeç, banues në Orikum.

Gjithashtu, në kuadër të ekzekutimit të vendimit për kontrollin e banesës dhe të vendeve të dyshuara, u ushtrua kontroll në banesat e disa personave, si dhe u ushtrua kontroll në një subjekt tregtar. Në kuadër të këtij procedimi u ushtrua kontrolli edhe në banesat e  dy personave të shpallur në kërkim si të dyshuar të përfshirë  në këtë aktivitet kriminal. 

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, vazhdon puna për kapjen e personave në kërkim, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve të tjera ku mund të jenë përfshirë këta shtetas. Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë”, njofton Policia e Shtetit.