October 2, 2024
Bota Lajmi i fundit

Gjeorgjia në prag të kaosit! BE: Mund t’i heqim statusin e vendit kandidat!

Gjeorgjia është prekur nga protestat masive, pasi kundërshtojnë projektligjin i cili klasifikon organizatat joqeveritare si agjentë të huaj, nëse marrin më shumë se 20 për qind të financimit nga vendet e huaja.

Projektligji gjithashtu kufizon lirinë e medias dhe të shprehjes. Protestuesit e kanë denoncuar projektligjin si “ligj rus”, sepse Moska përdor legjislacion të ngjashëm për të stigmatizuar mediat e pavarura të lajmeve dhe organizatat kritike ndaj Kremlinit.

Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë tha se 63 persona janë arrestuar gjatë protestave. Levan Khabeishvili, deputet i opozitës, postoi një fotografi të tij në llogarinë në rrjetet sociale me fytyrë të gjakosur dhe mavijosje të rëndë. Anëtarët e partisë së tij thanë se ai ishte sulmuar nga policia.

“Nuk më kujtohet në 34 vitet e fundit kur ka pasur kaq shumë entuziazëm dhe kaq shumë energji dhe njerëzit të kenë humbur. Nuk ka ndodhur kurrë dhe nuk do të ndodhë. Problemi është se qeveria thjesht po zgjat të pashmangshmen dhe ne mund të kemi probleme serioze, por në fund të ditës njerëzit do të shkojnë në shtëpi me fitore”, tha Tina Khidasheli, ish-ministrie e Mbrojtjes së Gjeorgjisë.

Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili, një armike e shpallur e qeverisë, kompetencat e së cilës janë kryesisht ceremoniale, tha në një postim në X se goditja e policisë kishte qenë “krejtësisht e pajustifikuar, e paprovokuar dhe jashtë proporcionit” dhe se protestat kishin qenë paqësore.

Parlamenti, i cili kontrollohet nga “Ëndrra Gjeorgjiane” dhe aleatët e saj, ka të ngjarë të miratojë projektligjin, i cili duhet të kalojë dy debate të tjerë përpara se të bëhet ligj.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Bashkimi Europian, të cilët i dhanë Gjeorgjisë statusin e vendit kandidat në dhjetor, e kanë kritikuar projektligjin. Zyrtarët e BE-së kanë thënë se mund të ndalojë përparimin e Gjeorgjisë drejt integrimit me unionin.