October 9, 2024
Bota Lajmi i fundit

Ndalesa e radhës, Ruanda! Britania nis fushatën e prangosjes dhe dëbimit të emigrantëve

Emigranti i parë i paligjshëm i ndaluar me qëllimin për ta deportuar për në Ruandë është transferuar nga policia e Britanisë së Madhe. Kështu nisi zbatimi i planit shumë të kundërshtuar si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Siç paraqitet nga vetë pamjet e publikuara nga Home Office, policia britanike shkon në banesa, arreston emigrantët e paligjshëm duke iu vendosur pranga në duar, i fusin ata në furgonë dhe i vendosin në burgje përpara deportimit për në shtetin afrikan.

Largimet pritet të nisin gjatë korrikut. Përtej kundërshtimeve nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare, kryeministri Rishi Sunak, mbrojti planin e tij gjatë një debati në parlament.

“Plani ynë po funksionon. Emigracioni ligjor, sipas të dhënave të fundit, tregojnë se ka rënë me 24 për qind; kërkesa për viza studentore ka rënë me 80 për qind. Por ne të gjithë e njohim idenë e madhe Laburiste. Ata kërkojnë heqjen e planit Ruanda edhe kur është funksional. Por, siç ka thënë një këshilltar i lartë Laburist, ne nuk mund të heqim një plan dhe të mos kemi asgjë për ta zëvendësuar.”

Akti për Ruandën u shndërrua në ligj javën e kaluar pas miratimit në Dhomën e Komunëve. Ndalimi i emigracionit të paligjshëm, veçanërisht i gomoneve në kanalin e La Manshi, është shndërruar në politikën kryesore të qeverisë Sunak.

Kryeministri britanik firmosi marrëveshje me Francën dhe Shqipërinë vitin e kaluar, si përpjekje për të frenuar edhe valën e emigrantëve shqiptarë që rrezikonin jetën.

Sipas të dhënave zyrtare nga Londra, më shumë se 7500 emigrantë kanë mbërritur në Angli përmes gomoneve të nisura nga Franca gjatë muajve të parë të këtij viti.

Megjithatë qeveria Sunak nuk mund të shpallë ende fitoren, pasi organizatat humanitare pritet që të vënë në skenë një nismë të re ligjore për të ndaluar deportimin e emigrantëve për në Ruandë, pasi Gjykata e Lartë Britanike e konsideroi planin Sunak të paligjshëm vitin e kaluar.