Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalimit të sotëm para mbështetësve të tij bëri thirrje për pjesmarrje në protestën e lajmëruar për të martën.
Berisha tha fitorja e Tiranës është fitore vendimtare për rikthimin e opozitës në pushtet dhe për shpëtimin e Shqipërisë dhe çeljen e rrugës së integrimit të këtij vendi.
Ai tha se “çlirimi i shtëpisë së parë të kryeqytetit është fitore vendimtare për qeverinë teknike të ardhshme.”
PJESË NGA FJALA E BERISHËS:
Miqtë e mi, dje ishte një ditë e bardhë, një ditë fitoreje. Ishte agu i ngadhënjimit të opozitës mbi narkodiktaturën. Ndaj dhe këto ditë gjer të martën e bekuar që vjen, ta bëjmë natën ditë.
Të punojmë, të trokasim në çdo zemër të qytetarëve të Tiranës. Të mblidhemi të martën për të festuar fitoren. Fitoren e merituar. Fitorja, triumfi i Tiranës, çlirimi i shtëpisë së parë të kryeqytetit është fitore vendimtare për qeverinë teknike të ardhshme.
Është fitore vendimtare për rikthimin e opozitës në pushtet. Është fitore vendimtare për shpëtimin e Shqipërisë dhe çeljen e rrugës së integrimit të këtij vendi. Ndaj përsëri sonte u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohemi në kauzën tonë të drejtë.
Ju bëj thirrje të gjithë atyre forcave politike, lëvizjeve politike që e ndjejnë se kleptokracia, se sundimi i drogës, bandave dhe krimit të Edi Ramës janë dramë e vërtetë kombëtare për shqiptarët.
Të bashkohemi, të përmbushim misionin tonë, shpëtimin e Shqipërisë. Është koha e provës, është ora e provës për çdo shqiptar që ndjehet opozitar. Për çdo shqiptar që përjeton padrejtësi në kurrizin e tij. Të bashkohemi në një front të përbashkët. Fitoren e kemi të sigurt.