September 11, 2024
Bota Lajmi i fundit

Sulm në Londër, Policia: Nuk ka lidhje me terrorizmin, një adoleshent ka vdekur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në metronë e Londrës, ku një person 36-vjeçar ka goditur me thikë disa persona. Si rezultat, një 13-vjeçar ka humbur jetën dhe 5 të tjerë janë plagosur. Policia britanke beson se sulmi nuk ka të bëjë me ndonjë organizim terrorist, por për një person i cili ka vepruar krejt i vetëm.

“Me pikëllim të madh konfirmoj se njëri prej të plagosurve, një djalë 13-vjeçar, ka vdekur. Ai u dërgua në spital pasi u godit me thikë dhe fatkeqësisht vdiq pak më pas. Një 36-vjeçar ndodhet aktualisht në paraburgim. Ai është rrethuar në vendngjarje dhe është arrestuar 22 minuta pas aktit tragjik. Ne nuk besojmë se ka ndonjë kërcënim të vazhdueshëm ndaj komunitetit dhe nuk po kërkojmë asnjë të dyshuar tjetër”, tha Stuart Bell, Shefi Metropolitan i Policisë.

Scotland Yard ka kërkuar një hetim të thellë të ngjarjes dhe të mos ketë spekullime. Sekretari i Brendshëm britanik shprehu solidaritetin me të prekurit dhe kërkoi që të mos spekulohet për hetimet në vazhdim.

Fjalë të ngjashme shprehu edhe lideri i opozitës laburiste, Keir Starmer, i cili e përshkroi lajmin si “shumë të keq”. Një zëdhënës i Pallatit Buckingham tha se mendimet dhe lutjet e Mbretit Charles janë me ata që janë prekur nga sulmi në metro, veçanërisht me familjen e djalit të vrarë 13-vjeçar.