September 11, 2024
Lifestyle

A je sapioseksuale? Ja kush janë shenjat që e tregojnë këtë

Nëse inteligjencën dhe mençurinë do e vije të parën në renditjen e gjërave që të tërheqin seksualisht te një person, gjasat janë të hysh në grupin e sapioseksualëve.

Thuhet se ky term ka 20 vite që qarkullon dhe diskutohet, por mjekët e studiuesit theksojnë se nuk ka akoma studime të mjaftueshme për të. Për shumicën e studiesve, tërheqja seksuale është shumë e larmishme si temë dhe nuk mund të përkufizohet kaq prerazi.

Një studim i realizuar në vitin 2018, i publikuar në revistën shkencore “Intelligence”, ka zbuluar se sapioseksualët nuk janë të ndikuar vetëm nga niveli i inteligjencës, pra IQ.

Sipas këtij studimi, sapioseksualët konsiderojnë me shumë rëndësi edhe inteligjencën emocionale, kulturore dhe akademike. Ky studim e zgjeron shumë termin “inteligjencë” duke përfshirë butësinë, kujdesin, mirëkuptimin, kualitetin e karakterit dhe vlerat e individit. Kjo e bën tërheqjen seksuale një miks të pafundëm të fizikes, intelektit, emocioneve dhe lidhjes shpirtërore.

Disa nga shenjat që tregojnë se jeni sapioseksualë janë këto:

#1
– Mendoni se të bëni një bisedë interesante dhe/ose intelektuale është më mirë se seksi rastësor me dikë që nuk e njihni mirë.

#2
– Rrallë keni tërheqje të menjëhershme ndaj dikujt. Tërheqja juaj vjen gradualisht, teksa e njihni më mirë personin dhe arrini ta “njihni” mendjen e tyre.

#3
– Ju bezdisin njerëzit që bëjnë gabime gramatikore dhe nëse po e mendonit si opsion për të dalë me dikë, pas kuptoni se nuk shkruajnë mirë, hiqni dorë.

#4
– Ideja juaj e flirtimit është sugjerimi i librave, filmave dhe muzikës së mirë. Çdo gjë që ka të bëjë me artin dhe që është në interesat tuaja të përbashkëta.

#5
– Ju intereson më shumë se çfarë di njeriu me të cilin po dilni, se sa çfarë ai/ajo ka. Gjendja financiare nuk është primare për ju, mjafton të ndani interesa të ngjashme dhe të jeni ambiciozë për të ardhmen.

#6
– Keni tendencën të keni lidhje të gjata, pasi intimiteti në çift është në një nivel krejt tjetër dhe shkon përtej trupave të zhveshur.