December 5, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

A u mbajt e fshehtë ngjarja ku bashkëshorti i ministres Ibrahimaj goditi me gozhdë drejtorin e ATK-së? Tonin Vocaj: S’është ngjarje sensitive!

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj ka mohuar se ngjarja ku u përfshi Andri Ibrahimaj, burri i ministres Delina Ibrahimaj, i cili goditi me gozhdë vartësin e saj të jetë fshehur nga policia.

Në një konferencë për mediat, ai deklaroi se kjo goditja me gozhdë e vartësisit të ministres, drejtorit të Agjencisë së Trajtimit të Kredive, Eri Koshaj, nuk futet te ngjarjet sensitive për të cilat policia jep njoftime për shtyp.

Drejtori i Policisë Tiranë theksoi se materialet janë dërguar në Prokurori dhe se “është e vërtetë fakti se nuk është bërë e mundur që të kapej menjëherë autori i kësaj ngjarje”.

“Lidhur me këtë ngjarje, ngjarja është e vitit të kaluar. Lidhur me këtë ngjarje strukturat e hetimit të komisariatit nr.1. kanë kryer procedurat. Materialet janë çuar në prokurori, për veprën penale goditje për shkak të detyrës. Është e vërtetë fakti se nuk është bërë e mundur që të kapte menjëherë autori i kësaj ngjarje. Lidhur me pyetjen tuaj se policia ka pasur një mungesë transparence, kjo ngjarje nuk futet te ngjarjet sensitive për të cilat policia jep njoftime për shtyp. Të gjitha materialet janë referuar në prokurori, dhe është prokuroria që po heton këtë çështje”, u shpreh Tonin Vocaj.