September 11, 2024
Politikë

Balla në interpelancë: Bashkëpunimi me SPAK është jetik për pastrimin e policisë

Gjatë fjalës në Kuvend, në interpelancën e thirrur nga deputeti demokrat, Ervin Salianji, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, është shprehur se bashkëpunimi me SPAK është jetik për pastrimin e policisë.

Ai theksoi se prioritetet e qeverisë janë lufta ndaj krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike. Ministri njoftoi se sapo janë arrestuar në Spanjë dhe Itali dy kriminelë, të cilët do të ekstradohen në Shqipëri.

“Lajmi më i përhapur sot pavarësisht këndvështrimit tuaj, është certifikimi ndërkombëtar si një vend i sigurt turistik. Shqipërisë i është pastruar njëherë e përgjithmonë imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare. Turistët fjalën e parë që artikulojnë është siguria dhe kjo nga turistët që vijnë nga vende që siguria është e lartë. E vërteta është se janë turistë që ndihen të sigurt në Shqipëri.

Të nderuar kolegë, na duhet të kemi dhe t’i ofrojmë më shumë mbështetje policisë së shtetit. Jemi në fazën e fundit për të mundësuar një rritje të lartë të pagave për punonjësit e policisë së shtetit, në korrik.

Rezultatet e arritura, deri më tani, janë fillimi i një revanshi të sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar. Në territorin e kësaj republike, nuk mund të ketë të fortë mbi ligjin, ndaj qytetarëve. Lufta ndaj krimit të organizuara dhe siguria publike është prioriteti i kësaj qeverie. Goditjet e forta kundër grupeve kriminale, vijojnë të intensifikohen çdo ditë. Sapo janë arrestuar në Itali dhe Spanjë, të cilët do të ekstradohen në Shqipëri”, tha Balla.