September 11, 2024
Aktualitet Lajmi i fundit

“Dhuna gjatë protestës në Bashkinë e Tiranës, e papranueshme”, Balla pas mbledhjes së qeverisë: Do rrisim pagat për punonjësit e Policisë

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në një deklaratë për mediat, konfirmoi se nga data një korrik, do të ketë rritje pagash për punonjësit e Gardave.

Balla shtoi se ky vlerësim financiar vjen prej fondit në buxhetin e shtetit prej 400 milionë dollarësh, prej të cilit do përfitojnë edhe punonjës të sektorëve të tjerë.

“Sa i përket pagave për punonjësit e Gardave, vijojnë diskutimet intensive dhe synohet që më 1 korrik të realizohet një pritshmëri shumëvjeçare dhe të ketë një rritje të pagave që vjen për shkak të mirëmenaxhimit financiar”, tha ai.

Sipas ministrit, këtë vit në fokus të punës së tyre është garantimi i sigurisë publike, duke marrë parasysh edhe numrin e lartë të vizitorëve të huaj që pritet të mbërrijnë në Shqipëri.

Strategji kombëtare kundër emigracionit

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, pas mbledhjes së qeverisë tha se kanë miratuar një strategji kombëtare, e cila synon parandalimin e emigracionit të paligjshëm dhe frenimin e kërkesave për azil.

Ai më tej u shpreh se qeveria synon riintegrimin e emigrantëve shqiptarë në tregun e punës dhe kjo strategji shtoi Balla është në kuadër të vizionit “Shqipëria 2030”.

“Fokusi ndahet në disa drejtime kryesore. Parandalimi i emigracionit të paligjshëm të shqiptarëve, parandalimi i azil-kërkimit dhe riintegrimi në tregun e punës së emigrantëve. Synimi ynë është të rrisim ofertën për të gjithë vëllezërit dhe motrat tona për t’u rikthyer në Shqipëri dhe na duhet kjo strategji që duhet të mbart në vetvete të gjitha masat për riintegrimin. Tjetra është menaxhimi i flukseve migratore për emigrantët që vijnë nga vendet e tjera, ku Shqipëria duhet të ketë gati legjislacionin për trajtimin e grupeve vulnerabël. Miratimi i sotëm i strategjisë kombëtare është dokument i konsultuar në të gjitha nivelet, edhe me direktivat e BE-së”, tha ai.

Dhuna gjatë protestës në Bashkinë Tiranë, Balla: E papranueshme!

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në përfundim të mbledhjes së qeverisë foli për ndryshimet në ligjin për pasaportat dhe dokumentet biometrike, duke thënë se ka të bëjë me një ndryshim në kuadër të zhvillimit teknologjik.

“Ligji të na mundësojë prodhimin e dokumenteve digjitale. Synimi ynë është të shkojmë drejt digjitalizimit dhe dokumentet të mos mbahen më në portofol, si dhe të ecim përpara sa më shpejt me dokumentet digjitale”, tha ai.

Sa i përket dhunës gjatë protestës pranë Bashkisë Tiranë, Balla tha se dhuna ndaj institucioneve dhe policisë së shtetit është e papranueshme dhe se duhet të dënohet.

“Është e papranueshme dhuna ndaj institucioneve dhe dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Çdo akt dhune ndaj punonjësve të policisë së Shtetit dënohet ashpër. I bëj thirrje Prokurorisë që të gjitha rastet të ndiqen me vëmendje. Dhuna ndaj një punonjësi të policisë është një dhunë ndaj shtetit. Pra edhe ky fraksion i opozitës duhet të kuptojë që koha kur sulmoheshin institucionet ka mbaruar”, shtoi ai.

Sa i përket pagave për punonjësit e Gardave, tha se vijojnë diskutimet intensive dhe se synohet që më 1 korrik të realizohet një pritshmëri shumëvjeçare dhe të ketë një rritje të pagave që sipas tij vjen për shkak të mirëmenaxhimit financiar.