Disa aktivistë të shoqërisë civile kanë hedhur letra në sallën e Kuvendit në shenjë proteste për moslejimin e votës së diasporës.
Në pankartën që shpalosën para deputetëve shkruhej “Dua të votoj në 2025”.
“Na keni gënjyer për 1 vit e gjysmë, s’po na lejoni të votojmë. Jeni 140 manekinë. Në Gjykatë të Hagës jeni të gjithë”, është shprehur një nga aktivistët.
Ky grup i përbërë nga Elio Shyti, Arber Lleshi, Julian Kruja, Arlida Lleshi, kanë kërkuar nga deputetët të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka kërkuar nga Kuvendi t’i japë dritën jeshile kësaj çështjeje.
Më pas, gardistët i kanë nxjerrë jashtë sallës protestuesit.
Vota e diasporës është një nga pikat kryesore të retorikës politike të mazhorancës dhe opozitës, ku të dyja kahet thonë se duan që emigrantët të votojnë, por nuk po bëhet asgjë në këtë drejtim.
Pasi janë nxjerrë nga salla e seancave, aktivistët kanë dalë jashtë Parlamentit, për të protestuar aty, duke manifestuar edhe banderolën e tyre.