October 9, 2024
Politikë

Krimi kryefjalë e politikës, opozita përplaset me mazhorancën për sigurinë dhe Dumanin

Ky tensionim në seancë plenare erdhi pas refuzimit të interpelencës urgjente me kryeministrin, kërkuar nga opozita. Ngritja e toneve u duk se funksionoi dhe Lindita Nikolla pranoi paraqitjen e kërkesës.

Një formalitet, që mori të njëjtën përgjigje, këtë herë me karton. Teksa interpelanca me Ramën u rrëzua, ajo me Taulant Ballën për nivelin e kriminalitetit në vend ishte pranuar. Ervin Salianji u shfaq me letra në duar për të akuzuar Ministrin e Brendshëm.

“Kriminel të shpallur në kërkim gjejnë njëri tjetrin, ndërkohë që policia me ligj e ngarkuar kthehet në gjahtarë e kriminelëve për llogari të bandave rivale në qytete të ndryshme”, u shpreh Salianji.

“Lajmi më i përhapur sot, pavarësisht këndvështrimin tuaj për Shqipërinë, është certifikimi ndërkombëtar si destinacion i sigurt turistik”, deklaroi Balla.

Karta më e fortë e opozitës në këtë debat ishte deklarata e kreut të SPAK, Altin Dumani se nuk mund të bashkëpunojë me policinë në çështje të caktuara për shkak se zyrtarë të lartë të bluve bashkëpunojnë me krimin.

“Këtë ne e kemi denoncuar prej kohës”, tha Salianji.

“Drejtuesi i SPAK ngre një shqetësim sepse nga janari 2020 deri në 2024SPAK ka hetuar 69 punonjës. tani nga korriku 2023 deri në prill 2024 ne kemi referuar 349 dhe kemi arrestuar 65 përmes Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”, theksoi ministri Balla.

Krimi vijoi të ishte temë e debateve edhe përtej interpelancës. Tema u rihap nga Flamur Noka i cili citoi raportin e DASH të vitit 2013.

“Shqipëria nuk është më korridor i dograve të forta. Sot qeveria jote e ka kthyer edhe Kolumbi, edhe Meksike, sepse pinë këta mbarma, e batërdia me drogë bëhet”, tha Noka.

Ministri i Brendshëm replikoi me një tjetër raport, atë të G.D.F që njoftonte ish-qeverinë Berisha për rrezikun që mbarte Lazarati.

“Për ta bërë më të kuptueshme për ty, buxheti i shtetit në kohën kur e mbyllët ju që s’keni për t’u kthyer më kurrë ishte dy herë më i vogël se sa sasia në vlerë e kanabisit që kultivonit dhe shisnit ju”, deklaroi Balla.

Atëherë ministër i Brendshëm, Flamur Noka e quajti të sponsorizuar nga socialistët raportin e GDF të lexuar nga Balla.