November 29, 2024
Bota Lajmi i fundit

Macron nuk përjashton dërgimin e trupave tokësore në Ukrainë, nëse Moska depërton në front. Reagon Kremlini

Presidenti francez Emmanuel Macron nuk përjashton dërgimin e trupave tokësore në Ukrainë, nëse Moska depërton vijën e parë dhe Kievi e kërkon këtë. Kjo deklaratë e kreut të Elizesë u bë gjatë një interviste për “Economist”.

“Nëse rusët do të thyenin vijën e parë të frontit, nëse do të kishte një kërkesë ukrainase, gjë që nuk është rasti sot, ne në mënyrë legjitime duhet  t’i bëjmë vetes pyetjen”, tha presidenti francez për të përjavshmen britanike.

“Të përjashtosh apriori nuk do të thotë të mësosh mësimin e dy viteve të fundit, kur vendet e NATO-s fillimisht kishin përjashtuar dërgimin e tankeve dhe avionëve në Ukrainë përpara se të ndryshonin mendje”, shtoi ai.

Presidenti francez deklaroi për herë të parë se ekziston një mundësi e ardhshme e dërgimit të trupave tokësore evropiane për të ndihmuar Kievin më 26 shkurt, në fund të Konferencës së Parisit për Ukrainën. Në atë rast ai foli pikërisht për “një dërgim të trupave perëndimore që nuk mund të përjashtohet në të ardhmen”.

“Ne do të bëjmë gjithçka që duhet bërë që Rusia të mos mund ta fitojë këtë luftë”, tha Macron, duke shtuar se “për të arritur këtë objektiv, gjithçka është e mundur” dhe dërgimi i trupave perëndimore në të ardhmen nuk mund të “përjashtohet”.

I menjëhërshëm ka qenë edhe reagimi i Moskës zyrtare. Përmes zëdhënëses Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova, Kremlini deklaron se këto deklarata janë të lidhura me ditët e javës.

“Me sa duket, kjo ka të bëjë me ditët e javës, ky është cikli i tij”, tha zëdhënësja.

Ndërkohë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se 3800 bomba dhe raketa kanë rënë mbi Ukrainë vetëm në prill.

“Vetëm në prill, rusët përdorën më shumë se 300 raketa të llojeve të ndryshme, pothuajse 300 dronë dhe më shumë se 3200 bomba ajrore të drejtuara kundër Ukrainës, nga Sumy në Odessa, Dnipro, Kharkiv, Donetsk, Mykolaiv, Kherson. Terror çdo ditë dhe çdo natë. Mijëra jetë u shpëtuan falë ndihmës së vendeve që mbështetën mburojën tonë ajrore, për fat të keq, shumë jetë u morën nga këto sulme”, shkroi në Telegram presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.