May 13, 2024
Tirana, Albania
Aktualitet Lajmi i fundit

Ndryshimet ligjore, Kumbaro: Rriten me 30% gjobat për ndotjen mjedisore dhe bëhen menjëherë të ekzekutueshme

Nga mbledhja e sotme e qeverisë, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, njoftoi ndryshimet dhe amendimet, lidhur me 4 ligjet për mbrojtjen e mjedisit.

Kumbaro tha se këto ndryshime derivojnë nga situata, siç është raporti i Këshillimit Kombëtar, ku 70% e qytetarëve kërkonin forcim të masave ndëshkimore për ndotjen në mjedis, krimet mjedisore dhe veprimtari të tjera që dëmtojnë mjedisin, por edhe një nevojë akute, lidhur me rritjen turistike që po përjeton vendi.

“Për arsye procedurale dhe burokratike, gjobat bëheshin vështirësisht të ekzekutueshme për shkak të periudhave shumë të gjata të ankimimit, duke humbur efikasitetin e tyre në mbrojtjen e mjedisit. Akoma më akute bëhet kjo ndërhyrje kur kemi parasysh që popullsia e Shqipërisë nuk është më 2.8 milionë banorë, por me shtimin e flukseve turistike, ku presim 30-40% më shumë këtë vit, krahas gjithë punës dhe masave që ka marrë qeveria shqiptare, por edhe pushteti vendor për mirëmbajtjen e mjedisit dhe menaxhimin e mbetjeve, masat administrative, gjobat me të cilat duhet të shoqërohet ky proces, janë jo thjesht pjesë penalizimi, por edhe masë edukimi. Prandaj të gjitha masat ndëshkimore të parashikuara në këto katër ligje rriten me rreth 30%, por më e rëndësishmja është që ato kthehen menjëherë në titull ekzekutiv për të ruajtur efektin e tyre ndëshkues, korrektues dhe edukues”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Në fund të fjalës së saj, ministrja u shpreh se që nga individët e thjeshtë që ndotin natyrën deri tek kompanitë e mëdha industriale janë të detyruar të investojnë në masat e duhura për të mbrojtur mjedisin dhe cilësinë e ajrit.

Sipas ministres së Turizmit dhe Mjedisit, përveç detyrimit ndaj qytetarëve shqiptarë, këto masa shkojnë paralel me ambiciet për integrimin europian dhe vizionin e Shqipërisë turistike.

Ndryshimet e amenduara në mbledhjen e sotme të qeverisë u referohen 4 ligjeve në fushën e mjedisit siç janë ligji “Për Mbrojtjen e Mjedisit”, ligji “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”,  ligji “Për Mbrojtjen e Biodiversitetit” dhe ligji “Për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis”.