October 9, 2024
Ekonomi Lajmi i fundit

Nisma e re, veç kartave fizike të identitetit, shqiptarët do të kenë letërnjoftime digjitale

Për të aplikuar në universitet, hapur llogari bankare, marrë makinë me qira apo rezervuar në hotel nuk do të jetë më nevoja për një kartë fizike identiteti. Së shpejti shqiptarët do të kenë letërnjoftime digjitale me anë të së cilave do mund të marrin të gjitha shërbimet publike apo të kompanive si Facebook dhe Google.

“Në kuadër të zhvillimit të vrullshëm teknologjik, na duhet që edhe Shqipëria të emetojë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe për këtë po bëjmë të gjitha përpjekjet me kompaninë shtetërore IdentiTek, në mënyrë që ligji të na mundësojë edhe prodhimin e dokumenteve digjitale të identifikimit, e-ID”, u shpreh ministri i Brendshëm Taulant Balla.

Për këtë qëllim, Ministria e Brendshme ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, i ndryshuar. Në relacionin e projektligjit tregohen edhe elementët që do të përbëjnë “identitetin digjital” të shqiptarëve.

“Identiteti digjital, si një mjet që mundëson njohjen e një personi në ambientin digjital, përfshin informacione personale, si emrin, datën e lindjes, adresën, dhe të tjera të dhëna të rëndësishme, duke krijuar mundësinë e sigurimit të një përputhje të lartë të standardeve dhe sigurisë në të gjithë vendet anëtare, për të lehtësuar lëvizjen dhe komunikimin nëpërmjet platformave digjitale brenda BE-së dhe për të forcuar sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale”, deklaron Ministria e Brendshme.

Nisma ligjore, qëllimi së cilës është që të zëvendësojë dokumentet fizike të identifikimit dhe dokumentet zyrtare vlerësohet të ndihmojë edhe në luftën ndaj krimit të organizuar dhe mashtrimeve në internet.

“Miratimi i këtij projektligji, do të përmbushë objektivat e qeverisë në drejtim të identitetit digjital, duke standardizuar identifikimin e qytetarëve në nivel evropian dhe implementuar një identitet digjital të përbashkët, i cili mund të lehtësojë komunikimin dhe bashkëpunimin me institucionet dhe bizneset evropiane. Gjithashtu, një identitet digjital i përbashkët gjithashtu mund të ndihmojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe mashtrimeve në internet, duke rritur sigurinë dhe besueshmërinë e transaksioneve online”.

Identiteti Digjital u prezantua për herë të parë zyrtarisht nga Komisioni Europian në qershor të vitit 2021. Një nga argumentet kryesore në favor të e-ID është pikërisht se do t’i japë më shumë kontroll qytetarëve mbi përdorimin dhe ndarjen e të dhënave të tyre personale.