September 11, 2024
Politikë

Takimi i parë Rama-Veliaj/ Një shtrëngim duarsh dhe asnjë fjalë

Kryeministri Edi Rama ka shkuar ditën e sotme në Bashkinë e Tiranës për të marrë pjesë në dekorimin e Ali Ahmetit si qytetar nderi i Tiranës. Gjatë vizitës ditën e sotme u pa një përçarje më e madhe mes kreut të qeverisë si dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili prej javësh ndodhet në probleme me drejtësinë, për shkak të aferës së Inceneratorëve dhe korrupsionit me drejtorët e tij, tashmë të arrestuar nga SPAK.

Përçarja mes tyre është raportuar prej kohësh në media, ndërkohë që mungesat e Veliajt në evenimentet e organizuara nga Rama ka thelluar më shumë këtë dyshim. Sot ka qenë përballja e parë e tyre para publikut prej javësh. Ndërkohë që mes tyre ka pasur vetëm një shtrëngim duarsh disa sekonda dhe asnjë fjalë.

Për më shumë, pas këtij shtrëngimi duarsh Rama së bashku me Ahmetin kanë ikur para për tu futur në Bashki, ndërkohë që Veliaj ka ngelur mbarapa duke u futur i fundit në dyert e institucionit që drejton prej vitesh. Ndërkohë që gjatë fjalës së tij, Rama theksoi me vendosshmëri që vetëm për Ali Ahmetin ka shkuar në Bashkinë që dikur drejtonte.

“Vetëm Ali Ahmeti mund të më kthente këtu sot”,- tha Rama.

Mes tensionesh, në të cilat ndodhet Bashkia Tiranë, ku një valë protestash kanë nisur për shkak të korrupsionit dhe vjedhjeve të tenderave nga drejtorët e Veliajt, Rama zgjodhi që ta mbyllte fjalimin e tij më një shprehje, që më shumë dukej si kunjë ndaj Veliajt se sa mirënjohje për Ahmetin.

“Djemtë e duan pushtetin për t’u njohur nga të tjerët, kurse burrat për të bërë për të tjerët,” përfundoi Rama.

Cili ishte synimi i Ramës me shpehjen e mësipërme në një kohë kur Bashkia Tiranë është e tronditur nga korrupsioni që ka prekur të gjithë institucionin më të rëndësishëm për qytetin e Tiranës. Deri më tani janë arrestuar 5 drejtorë të Bashkisë Tiranë për korrupsion dhe vjedhje tenderash, ndërkohë që nën hetim janë disa drejtorë dhe drejtoresha të tjera.