Përveç të qenit një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike të shekullit të XX-të, varri i Tutankhamun është provuar gjithashtu të jetë frymëzim për mite, filma dhe teori pseudo-arkeologjike të panumërta. Në veçanti, i ashtuquajturi “Mallkimi i Faraonit” u bë një fenomen i njohur globalisht kur Lord Carnarvon, i cili sponsorizoi një ekspeditë për të gjetur Mbretin Tut, vdiq vetëm disa muaj pasi vizitoi varrin.
Pavarësisht nga kjo rastësi e dyshimtë, ka pak prova që ofrojnë ndonjë lidhje midis zbulimit të faraonit dhe vdekjes së shpejtë. Udhëheqësi i ekspeditës, Howard Carter, për shembull, jetoi edhe 17-vite të tjera pasi e largoi Mbretin nga vendi i tij i prehjes. Sa i përket Carnarvonit, ai ishte në prag të vdekjes për shumë vite përpara se të ndërronte jetë, vuante nga infeksione të përsëritura në mushkëri, pasi u plagos rëndë në një aksident automobilistik në vitin 1903.
Shumë larg të qenit i mallkuar, mund të thuhet se ai jetoi një jetë magjepsëse deri në fund. Ai iu nënshtrua helmimit të gjakut nga një infeksion i shkaktuar prej mushkonjave në maj të viti 1923, shkruan iflscience. Megjithatë, Carnarvon mund t’i ketë sjellë ‘mallkim’ vetvetes përmes biznesit. Për të financuar ekspeditën e famshme, ai ia shiti të drejtat ekskluzive të të gjitha informacioneve rreth varrit gazetës “The Times” të Londrës, duke i dhënë në fakt asaj një monopol mbi të gjitha faktet që lidhen me Tutankhamun dhe zbulimin e tij.
Me gjithë botën e mahnitur nga historia që u shfaq në ‘Times’, media të tjera ishin të dëshpëruara për të gjetur diçka për të publikuar dhe filluan të sajonin gjëra. Pas vdekjes së Carnarvon, gazetarët anembanë botës patën një ditë me shumë angazhime, duke shkruar lloj-lloj historish spekulative se si erdhi vdekja e tij. Sipas David Silverman, kurator i ekspozitës së njohur botërore të Tutankhamun në Muzeun Penn, duke shkruar në vitin 1987, shumë gazetarë në atë kohë keqinterpretuan qëllimisht mbishkrimet e gjetura në varr për të nënkuptuar një mallkim. Një gazetë, për shembull, pohoi se pasazhi lexonte se “unë do t’i vras të gjithë ata që kalojnë këtë prag të shenjtë, ku jeton përgjithmonë mbreti”, megjithëse në fakt nuk u gjet një mesazh i tillë. Një tjetër keqinterpretoi një pjesë të Librit Egjiptian të të Vdekurve që ishte gdhendur në varr, duke e përkthyer gabimisht si “ata që hyjnë në këtë varr të shenjtë së shpejti do të vizitohen nga engjëjt e vdekjes”.
Megjithatë, edhe pse nuk ka asnjë mallkim që mund të gjendet askund pranë trupit të mbretit Tut, hoodoos (grup praktikash, traditash dhe besimesh shpirtërore që u krijuan nga afrikano-amerikanët e skllavëruar në jug të SHBA-së) u gdhendën në varre të tjera të lashta egjiptiane. Një shembull i famshëm paralajmëron se “ata që shkatërrojnë këtë varr do të vdesin nga një sëmundje që asnjë mjek nuk mund ta diagnostikojë”, megjithëse nuk është e qartë se në varrin e kujt është shkruar ky kërcënim. Në përgjithësi, mallkimet ishin gdhendur vetëm në varret e individëve privatë, pasi mbretërit egjiptianë mbroheshin tashmë nga një seri magjish të njohura si ‘Tekstet e Piramidës’ dhe për këtë arsye nuk kishin nevojë për mbrojtje shtesë.
E megjithatë, pavarësisht mungesës së plotë të mallkimeve reale faraonike, vëzhguesit e zellshëm kanë kërkuar vazhdimisht arsye për të besuar se shqetësimi i mbretit të lashtë mund të ketë pasoja vdekjeprurëse. Një artikull, i botuar në një revistë që një filozof i shkencës e ka përshkruar si “një përpjekje për të institucionalizuar pseudoshkencën”, madje sugjeron se egjiptianët vendosën mbetje nukleare në ndërtesa, nën disa varre, duke shkaktuar komplikacione fatale në shëndetin e arkeologëve. Duke lënë mënjanë spekulimet qesharake, disa studime të ligjshme kanë gjetur se varret e lashta mund të përmbajnë kërpudha, myk ose mikrobe të tjera potencialisht të dëmshme që mund të rrezikojnë studiuesit që i thithin ato. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë tregues se ndonjë egjiptolog është prekur ndonjëherë nga një patogjen i tillë, i cili është një gozhdë tjetër në arkivolin e mallkimit të faraonit./ IFLScience