Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka rinovuar licencën e shoqërisë “ECO- ELB” sh.a., në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga centrali i përpunimit të mbetjeve urbane, Qarku Elbasan, me kapacitet të instaluar 2850 kW, me afat deri më 27.03.2025. Pak muaj më parë ky institucion pezulloi këtë procedurë duke kërkuar nga kompania publike që ka në përdorim inceneratorin e Elbasanit të depozitonte kontratën e qirasë me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Eco -Elb ka nënshkruar një kontratë qiraje me këtë agjenci për një periudhë një vjeçare që më pas e ka depozituar në ERE diçka që edhe ka hapur rrugën për licencimin.
“Me e-mailin e datës 29.01.2024 dhe shkresën e protokolluar në ERE me nr. 645/3 prot., datë 04.04.2024, shoqëria ka depozituar në ERE Kontratën e Qirasë nr. 1111 prot., datë 28.03.2024, nënshkruar mes Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (në cilësinë e qiradhënësit) dhe shoqërisë “ECO – ELB” sh.a. (në cilësinë e qiramarrësit) me afat nga 28.03.2024 deri më 27.03.2025. Po ashtu, shoqëria ka bërë me dije se turbina nuk ka qenë dhe vazhdon të mos jetë në gjendje pune.
Me depozitimin e kontratës së qirasë si më sipër rezulton se nuk ekziston më kushti pezullues i vendimit të nr. 309/2023, e në të tilla rrethana vlerësohet të vijohet me heqjen e këtij pezullimi dhe marrjen e vendimit përfundimtar në lidhje me rinovimin e licencës së shoqërisë “ECO-ELB” sh.a. në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga centrali i përpunimit të mbetjeve urbane, Qarku Elbasan, me kapacitet te instaluar 2850 kw”, thuhet në vendim.
Enti sanksionon gjithashtu se edhe pse afati i licencave është 30 vjeçar, për shkak se kontrata e qirasë është 1 vjeçare, ky është edhe afati për licencimin.
“ERE, në zbatim të nenit 38 të ligjit nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”, i ndryshuar, dhe nenit 5 të “Rregullores për procedurat dhe afatet për dhënien, modifikimin, transferimin, rinovimin, njohjen dhe heqjen e licencave në sektorin e energjisë elektrike”, lëshon një licencë për veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike deri në 30 vjet, por afati i kontratës së qirasë të nënshkruar ndërmjet Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (në cilësinë e qiradhënësit) dhe shoqërisë “ECO – ELB” sh.a. (në cilësinë e qiramarrësit) ka afat vlefshmërie deri më 27.03.2025. Në këto rrethana ERE kushtëzohet nga ky afat përsa i përket afatit të vlefshmërisë që do të ketë ky rinovim licence, pra deri më 27.03.2025”, nënvizon ERE.
Eco Elb është kompani e krijuar në 18.11.2021 dhe ka në objekt të aktivitetit “Grumbullimi, rehabilitimi dhe përpunimi i mbetjeve të ndryshme, organike, të ngurta, të gjelbërta,..etj, në territorin administrativ të të gjithë bashkive të Qarkut Elbasan. Trajtimi i mbetjeve me djegie (incenerator).
Kompania trashëgoi inceneratorin e Elbasanit të ndërtuar nga Albtech Energy e cila kishte një kontratë të dorëzimit me çelësa në dorë të impiantit të djegies së mbetjeve në Elbasan. Në dhjetor 2021 inceneratori i Elbasanit kaloi nën sekuestro teksa janë dhënë dënime për një sërë personash të lidhura me këtë projekt .Aksionerë të ECO Elb aktualisht janë Bashkia Cërrik me 8 për qind, Gramsh me 8 për qind. Elbasan 52 për qind, Peqin 8 për qind, Belsh 8 për qind, Librazhd 8 për qind./ Monitor