May 13, 2024
Tirana, Albania
Kronikë Lajmi i fundit

Goditet organizata e trafikut ndërkombëtar të drogës në Spanjë, 14 të arrestuar, të përfshirë edhe shqiptarë

Autoritetet spanjolle njoftojnë se, në bashkëpunim me ato gjermane dhe franceze, kanë goditur një organizatë të madhe ndërkombëtare të trafikut të drogës. Kjo organizatë që vepronte midis qyteteve Jerez de la Frontera, Estepona dhe Marbella, dyshohet se ka kontrabanduar qindra kilogramë hashash të fshehur në kamionë të ngarkuar me limonë në Gjermani. Në kuadër të këtij operacioni u kryen 28 bastisje njëkohësisht në të gjithë Spanjën (10) dhe Gjermaninë (18) dhe u kryen 14 arrestime.

Hetimet nisën në dhjetor 2022 pas arrestimit të tre personave me origjinë kolumbiane dhe shqiptare në qytetin francez Dax. Të dyshuarve, të cilët aktualisht janë në burgun e përkohshëm në Francë, u gjetën 382,000 euro para të gatshme të fshehura në një automjet. Nga hetimet e autoriteteve franceze u zbulua se paratë e sekuestruara ishin të destinuara për drejtuesit e një organizate kriminale, që supozohet se ishin të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, me qendër në Marbella.

Gjithashtu, u vërtetuan lidhjet me Gjermaninë, vendin e destinacionit të drogës që transportohej me rrugë nga Spanja. Nga operacioni më i fundit u sekuestruan mbi 180,000 euro para të gatshme, shtatë armë zjarri dhe 30 kilogramë marijuanë, ndër të tjera.

Krerët e bandës – dy gjermanë me origjinë iraniane dhe marokene – përdornin restorantin e tyre për të mbajtur takime me narkotikët e tjerë, shkruajnë mediat e huaja. Ata gjithashtu kishin një jaht të ankoruar në Marbella, ku autoritetet besojnë se të dyshuarit mbanin takime diskrete me trafikantët e tjerë të drogës. Ata kishin roje të armatosur kolumbianë, misioni i të cilëve ishte, t’u siguronte atyre mbrojtje kundër rrezikut që organizata të tjera kriminale t’i sulmonin ose të përpiqeshin t’u vidhnin mallin.