November 28, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

Kontrabandë me medikamente mjekësore, dy të arrestuar në Tiranë

Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë së kryeqytetit me akuzën e kontrabandës së medikamenteve mjekësore. Gjatë kontrollit në depon e njërit prej tyre Policia sekuestroi sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, pa pullë fiskale dhe pajisje dentare, me vlerë rreth 17000 euro.

 

Njoftimi i Policisë Tiranë

 

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, finalizoi operacionin policor “Medikament”.

 

Strukturat e hetimit të krimit ekonomik e financiar dhe Operacioneve Speciale në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra të ndryshme, arrestuan shtetasit E. H., 46 vjeç, dhe Q. H., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.

 

Gjatë kontrollit të ushtruar në farmacinë e shtetasit E. H., dhe gjatë kontrollit të ushtruar në një depo të shtetasit Q. H., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, pa pullë fiskale nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, dhe pajisje dentare, me vlerë rreth 17000 euro.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë.