Ergys Arrazi ka dhënë deklaratën e tij në policinë vendore të Shkodrës si i dyshuar dhunë në familje si dhe shkaktim i vetëvrasjes të bashkëshortes së tij Alma Arrazi dhe tre fëmijëve të cilët dyshohet se janë vetëmbytur në ujërat e lumit Buna. 31-vjeçari Arrazi nuk e ka pranuar se ka dhunuar bashkëshorten e tij apo fëmijët.
Arrazi i ka qëndruar deklaratës së tij të tre ditëve më parë duke thënë se ka humbur kontaktet me bashkëshorten dhe fëmijët pa patur idenë se ku ndodheshin. Ai është shprehur se ka patur një marrëdhënie normale me bashkëshorten dhe fëmijët duke thënë se nuk e kam idenë përse bashkëshortja ka ndërmarrë këtë veprim.
Arrazi nuk ka pranuar asnjë prej dy veprave penale që rëndojnë mbi të “dhunë në familje” dhe “shkaktim i vetëvrasjes” duke deklaruar se nuk është ai shkaktari i kësaj ngjarje të rëndë.
Po ashtu dyshohet se motra e viktimës me datën 2 maj është takuar duke konsumuar një kafe me Erdgys Arrazin dhe kanë zhvilluar një bisedë e cila dyshohet se lidhet me problemet e fundit të ndodhura në familjen Arrazi.
Motra e viktimës ka deklaruar pas ngjarjes së kunati i saj ka ushtruar dhunë në familje psikologjike dhe fizike gjë e cila sipas saj ka detyruar të motrën të ndërmarrë veprimin e rëndë.
Gjithashtu policia ka dyshime se prej pak kohësh shtetasi Erdgys Arrazi është parë në shoqërinë e një vajze tjetër gjë e cila dyshohet se ka shtuar konfliktet në familje.
Konfliktet në çift kishin muaj që kishin nisur dhe praktikisht çifti ishte i ndarë pasi martesa nuk konsumohej më dhe Ergys Arrazi kishte nisur një marrëdhënie tjetër.
Sipas familjarëve të gruas ai grindej çdo ditë me të dhe i thoshte të dilte nga shtëpia ku ajo jetonte në një dhomë dhe flinte me fëmijët”, sipas gazetares Dorjana Bezat.
I pyetur në polici, ditën kur denoncoi zhdukjen, por edhe më vonë pas gjetjes së trupit të së bijës ai e ka cilësuar bashkëshorten “të sëmurë mendore” dhe sipas tij kishte muaj që trajtohej me ilaçe depresioni. Por kjo dëshmi nuk është verifikuar nga blutë, pasi ende nuk është gjetur ndonjë kartelë e 39-vjeçares apo mjek që t’i ketë lëshuar recetë për këto medikamente.
Duket se gruaja ka qenë e vetme në këtë situatë pasi dhe pas zhdukjes së saj e vetmja që ka treguar interes ka qenë e motra, ndërsa vëllai dhe të afërmit e tjerë nuk janë interesuar në polici dhe nuk i janë përgjigjur kërkesës për t’u pyetur si persona që kanë dijeni për ngjarjen /TCH