October 2, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

Nëna me 3 fëmijët u mbyt në Lumin Bunë në Shkodër, gjendet trupi i pajetë i fëmijës së dytë

Tragjedia në Shkodër ka marrë përmasa më të mëdha. Sot, pas më shumë se 48 orësh kërkime është gjetur trupi i pajetë i vajzës 8-vjeçare, e cila u mbyt në Lumin Bunë në Shkodër. Dy ditë më parë është gjetur trupi i pajetë i motrës së saj, 9-vjeçares, e ndërsa palombarët e RENEA, efektivët e FA, peshkatarët e banorët e zonës vijojnë kërkimet për nënën e tyre, Alma Arrazi dhe djalit të vogël 3-vjeçar. Trupi i pajetë i 8-vjeçares është gjetur rreth 1 km larg nga vendi ku janë hedhur, prandaj kërkimet edhe për 2 trupat e tjerë po vijojnë në këtë zonë.

“Sipas asaj që policia ka rindërtuar si skenar i kësaj ngjarje dyshohet se edhe trupi i nënës dhe fëmijës të jetë po në këtë zonë kështu që policia, RENEA dhe Forcat e Sigurisë dhe të tjera dhe peshkatarët e zonës që i falenderoj po vazhdojnë non-stop për të gjetur nënën dhe fëmijën tjetër”, tha ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

E gjithë ngjarje dyshohet se ka ardhur për shkak të dhunës në familje që ishte përballur prej disa kohësh Alma së bashku me fëmijët e saj nga kryefamiljari, Ergys Arrazi.

Megjithatë, ministri i Brendshëm, Taulnt Balla tha sot në një deklaratë për mediat nga Shkodra se nuk ka pasur një denoncim nga gruaja për dhunë familje nga bashkëshorti.

“Nuk ka pasur denoncim, por ndonjëherë nuk duhet të presim denoncimet, duhet të rrisim përmes inteligjencë policore, përmes bashkëpunimit për të marrë informacione”, u shpreh ministri.

Balla shtoi se ky është një moment reflektimi për Policinë e Shtetit, për të parandaluar dhe për të reaguar në kohë para se të ndodh tragjedia.

“Ne kemi përgjegjësitë tona si shoqëri në tërësi sepse duhet të japim më shumë vajzave dhe grave që ta denoncojnë, që ta kalojnë këtë momentin e vështirë, të dhunës në të gjitha format, na duhet një shkëputje nga kjo situatë në kuptimin e një reagimi mbarë shoqëror, sepse një rol të rëndësishëm këtu luan shoqëria”, u shpreh Balla.

Kur kanë kaluar pothuajse 48 orë nga ngjarja që tronditi opinionin publik, janë ende të paqarta arsyet e kësaj ngjarjeje. Policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet duke marrë në pyetje familjarë të Alma Arrazit dhe bashkëshortit të saj të ndaluar nga policia nëse kanë dijeni për ngjarjen dhe arsyet që çuan nënën bashkë me 3 fëmijët që të mbyten në ujërat e lumit Drin.