Familjarët e Erdgys Arrazit, jashtë kamerave, janë shprehur se janë të lënduar dhe të shokuar nga tragjedia e vetëmbytjes së gruas së djalit të tyre, bashkë me 3 fëmijët.
“Jemi të lënduar dhe shokuar, nuk ia falim nuses vendimin fatal, duke i marrë jetën vetes dhe tre fëmijëve. Erdgysi i kishte pikë të dobët fëmijët, ai nuk i ka keqtrajtuar asnjëherë. Punonte gjithë ditën në dyqan celularësh, për t’i dërguar në shkolla private”, shprehen ata.
U gjet e mbytur në lumin Buna, 9-vjeçarja përcillet sot për në banesën e fundit
Sipas tyre, “çifti kohët e fundit kishte pasur debate dhe Alma merrte ilaçe për gjendje të rënduar emocionale”.
Ngjarja tragjike
Dhuna në familje dyshohet të jetë bërë shkak që nëna me 3 fëmijët t’i japë fund jetës duke u vetëmbytur në lumin Bunë pranë Darragjatit në Shkodër. Deri më tani, është gjetur trupi i vajzës 9-vjeçare, ndërsa e zhdukur rezulton nëna Alma Arrazi bashkë me dy fëmijët e tjerë, një vajzë, 8 vjeç, dhe një djalë, 3 vjeç. Edhe ata, sipas policisë, dyshohet se janë mbytur në lumë, ndërsa palombarët po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupave.
Sipas burimeve për A2 CNN, bashkëshortja me tre fëmijët kishin dalë me kunatën, nusen e vëllait të Ergysit dhe më pas janë ndarë në mënyrë të qetë, pa ngritur asnjë dyshim për aktin fatal që Alma Arrazi do të ndërmerrte. Gjithnjë sipas burimeve për A2 CNN, e reja kishte mësuar së fundmi një tradhti bashkëshortore nga i shoqi.
Arrestohet babai, dyshohet se ushtronte dhunë në familje
Menjëherë pas gjetjes së trupit të vajzës së mitur, në pranga u vu babai Ergys Arrazi, i cili akuzohet për “Shkaktimin e vetëvrasjes”. Ka qenë vetë 31-vjeçari Arrazi, i cili ka denoncuar në polici me datë 3 maj se gruaja dhe 3 fëmijët janë larguar nga banesa, por pa dhënë detaje të tjera.
Për hetuesit ai ka qenë i ftohtë gjatë dëshmisë së tij, ndërsa dyshohet se ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes. Diçka të tillë e ka mohuar ndërsa nuk ka shfaqur asnjë ndjesi edhe kur mori lajmin se njëra prej vajzave të tij është gjetur e pajetë në lumë.
Pas denoncimit për zhdukjen e tyre ka qenë motra e gruas e cila i tha policisë për dhunën që ushtronte 31-vjeçari ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve ndërsa ka çuar në pranga Arrazin.