Refuzimi i ftesave për të konsumuar së bashku lëndë narkotike dhe më pas për të kryer marrëdhënie seksuale, ka bërë që një person të përfundojë me plagë thike në kokë, në QKUK në Prishtinë.
Ngjarja e rëndë është regjistruar në Fushë-Kosovë. Policia e ka regjistruar atë si një tentativë për vrasje, me viktimën dhe autorin që janë të dy të gjinisë mashkullore.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti nën ndikim të substancave narkotike, fillimisht e kishte joshur viktimën mashkull kosovar, që të konsumoj substancë narkotike, e pasi viktima kishte refuzuar të konsumoj, i dyshuari e kishte joshur (cytur) që të kryejnë marrëdhënie seksuale kundër dëshirës së tij, dhe pasi edhe kësaj here viktima kishte refuzuar, i dyshuari me një thikë kuzhine, e kishte goditur viktimën në kokë , me ç’rast i shkakton lëndime trupore. Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, njofton policia.