Safet Hasani, peshkatari që gjeti trupin e vajzës 9-vjeçare, ka rrëfyer momentet kur zbuloi trupin e vogëlushes, teksa ishte duke gjuajtur për peshk në lumin Buna në Shkodër. Në një deklaratë për mediat, ai thotë se u shokua kur zbuloi trupin e vajzës, se nuk e kishte dëgjuar në lajme ngjarjen që tronditi opinionin publik.
“Kam qenë duke gjuajtur peshk. Ishte edhe terr, m’u desh të ndez dritën e telefonit për të parë se mos helika… por më bëri të dyshoj në fund një metër e pak ujë. Mu duk kukull a njeri, po për momentin u shokova më shkoi mendja për njeri. Mora policinë në telefon policia erdhi fill. Në fillim u shokova, se dyshimet i kisha se është njeri. Thosha inshallah nuk është njeri se të vjen keq. Ishte diçka që nuk e kisha dëgjuar as në lajme. Të vjen keq se kemi fëmijë vetë. Është e rëndë, është e vështirë. Grupet vazhdojnë kërkimet dhe ne banorët jemi në dispozicion me mundësitë që kemi”.
Ngjarja tragjike
Dhuna në familje dyshohet të jetë bërë shkak që nëna me 3 fëmijët t’i japë fund jetës duke u vetëmbytur në lumin Bunë pranë Darragjatit në Shkodër. Deri më tani, është gjetur trupi i vajzës 9-vjeçare, ndërsa e zhdukur rezulton nëna Alma Arrazi bashkë me dy fëmijët e tjerë, një vajzë, 8 vjeç, dhe një djalë, 3 vjeç. Edhe ata sipas policisë dyshohet se janë mbytur në lumë, ndërsa palombarët po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupave.
Sipas burimeve për A2 CNN, bashkëshortja me tre fëmijët kishin dalë me kunatën, nusen e vëllait të Ergysit dhe më pas janë ndarë në mënyrë të qetë, pa ngritur asnjë dyshim për aktin fatal që Alma Arrazi do të ndërmerrte. Gjithnjë sipas burimeve për A2 CNN, e reja kishte mësuar së fundmi një tradhti bashkëshortore nga i shoqi.
U gjet e mbytur në lumin Buna, 9-vjeçarja përcillet sot për në banesën e fundit
Arrestohet babai, dyshohet se ushtronte dhunë në familje
Menjëherë pas gjetjes së trupit të vajzës së mitur në pranga u vu babai Ergys Arrazi, i cili akuzohet për “Shkaktimin e vetëvrasjes”. Ka qenë vetë 31-vjeçari Arrazi, i cili ka denoncuar në polici me datë 3 maj se gruaja dhe 3 fëmijët janë larguar nga banesa, por pa dhënë detaje të tjera.
Për hetuesit, ai ka qenë i ftohtë gjatë dëshmisë së tij ndërsa dyshohet se ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes. Diçka të tillë e ka mohuar ndërsa nuk ka shfaqur asnjë ndjesi edhe kur mori lajmin se njëra prej vajzave të tij është gjetur e pajetë në lumë.
Pas denoncimit për zhdukjen e tyre, ka qenë motra e gruas e cila i tha policisë për dhunën që ushtronte 31-vjeçari ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve ndërsa ka çuar në pranga Arrazin.