October 9, 2024
Aktualitet Lajmi i fundit

Tragjedia në Shkodër, qytetarët hedhin lule në lumin Buna

Në ditën që njihet si dita e luleve në Shkodër, qytetarë të Shkodrës janë bashkuar dhe kanë hedhur lule në ujërat e lumit Buna, aty ku u ndërpre në mes jeta e nënës dhe 3 fëmijëve të saj. Nënkryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza, tha se sot festa në Shkodër u kthye në dhimbje, pasi disa lule të bukura i mungojnë qytetit.

“Në këtë ditë që Shkodrës i fali 6 majin, ditën e luleve, disa lule shkëputen tragjikisht nga jeta. 6 maji në Shkodër festohet me fëmijë, lule, koncerte, këngë e recitime, por sot i mungonte diçka thelbësore këtij gëzimi. Kërkimi vijon ende, se ende nuk janë gjetur 3 trupa, kemi Eriseldën të gjetur të pajetë, e cila sot përcillet në banesën e fund. Sot si nënë si grua, si përfaqësuese e bashkisë Shkodër, ndjehem e trishtuar, e pikëlluar se pikërisht në këtë ditë ku të gjithë organizoheshin për festë dhe ndodh një pikëllim. Por populli e ka pas në traditë të mbledhë forcën dhe t’i përballojë të gjitha sipas zakonit e riteve dhe Eriselda të pushojë në paqe dhe nëna me dy fëmijët e tjerë të gjendet dhe ne të mos kemi më të tilla ngjarje”.

Ajo ftoi gratë të denoncojnë dhunën, fëmijët që shohin nënën të dhunohet, gjyshet që dëgjojnë debate pas dyerve të mbyllura në mënyrë që këto raste të parandalohen dhe të mos jenë vetëm sensibilizim pasi tragjedia ndodh.

“I bëj thirrje të gjitha grave, vajzave, fëmijëve që shohin dhunë pas prindërve dhe nënave që dëgjojnë pas dyerve grindje t’i denoncojnë në instancat e profilizuara për këtë punë. Bashkia e Shkodrës ofron shërbime për gratë e dhunuara e viktimat e shpëtuara, por duhet t’i parandalojmë ato”.