September 11, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

Zbulohet çfarë i tha Alma Arrazi kunatës pak para se të vetëmbytej me 3 fëmijët

Edison Arrazai ka mohuar që vëllai i tij, Erdgys Arrazi të ketë dhunuar bashkëshorten, Alma Arrazi, e cila së bashku me tre fëmijët e mitur u vetëmbytë në lumin Buna. Në një dalje për mediat, ai është shprehur se lajmet për dhunë janë të pavërteta, teksa flet se viktima, Alma vuante nga depresioni dhe merrte ilaçe.

“Është një ngjarje shumë e rëndë që na ka ndodhur në familjen tonë sepse ende nuk janë gjetur dy trupat e tjerë dhe dy i kemi të vdekur. Dua të sqaroj opinionin publik se vëllain tim e njeh e gjithë Shkodra sepse ka punuar në servis celularësh. Është e pavërtetë se vëllai ka ushtruar dhunë psikologjike apo fizike ndaj nuses tonë të shtëpisë. Ne pas ngjarjes së rëndë kemi bërë katër arkivola dhe nusen do ta përcjellim bashkë me të tre fëmijët. Ajo ka qenë nusja jonë dhe ne e kemi dashur dhe respektuar. Sa i përket ngjarjes nuk është e vërtetë se vëllai e ka dhunuar. Prokuroria na ka dhënë leje që vëllai të vinte në varrim dhe policia nuk e lejoi që t’i hidhte një grusht dhe vajzës që varrosëm sot. Unë dua t’’i bëj thirrje të gjithëve që të mos nguten dhe të na lënë kohë që të dalë e vërteta e ngjarjes. Vëllai dhe nusja kanë shkuar shumë mirë dhe nuk kanë patur probleme siç po akuzohet gjithandej. Unë dua që vëllai të vijë në shtëpi dhe të varrosim edhe vajzën tjetër që u gjet sot. Faktet janë gjithandej se nuk është dhunues vëllai im sepse e njohin të gjithë. Ne kemi jetuar në një shtëpi sëbashku dhe nëse ka patur dhunë të paktën njëherë do e kishte denoncuar ose do kishte trokitur në dyert e ndonjë shoqata ose do e kishte gjetur një zgjidhje. Ne i kemi njoftuar për çdo gjë familjen e nuses tonë, që nga momenti i parë dhe deri më tani. Sot nuk kanë qenë në varrim, por e dimë se dhimbja edhe për ata është po aq e madhe sa e jona. Edhe ata janë të respektuar nga ana jonë. Nusja është trajtuar prej shumë kohësh me ilaçe për stresin dhe depresionin. Nuk është se ka qenë në një gjendje të rënduar, por herë pas herë ka marrë ilaçe. Ngjarja është shumë e rëndë dhe jemi tejet të ngarkuar. Unë për vete kam tre ditë që kam dalë nga burgu. Bëra katër vite burg dhe nuk e di ende se për çfarë i bëra sepse me kanë dënuar për bimë narkotike gjë që nuk është e vërtetë”, tha Edison Arrazai.

Ai flet edhe për kafen që viktima ka pirë me bashkëshorten tij. Edison Arrazai ka zbuluar se Alma i ka thënë se “do shkonte në Durrës te i vëllai”, dhe se në asnjë moment nuk ka shfaqur asnjë shqetësim.

“Nusja ime dhe nusja e vëllait atë pasdite kanë dalë si gjithmonë për të pirë kafe bashkë më fëmijët sepse kanë dalë shpesh sëbashku. Pasi kanë konsumuar kafen i ka thënë nuses time se do nisem  për në Durrës dhe do vijë të marrë vëllai. Nuk ka shfaqur asnjë problem gjatë qëndrimit në kafe dhe është sjellë krejt normalisht. I ka thënë se kam folur me burrin për vëllanë tim dhe se do iki për Durrës sepse më merr vëllai”, shtoi Edison Arrazai.

Duke u ndalur te dyhsimet për tradhti, Edison Arrazai thotë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, por thekson se sipas tij, edhe nëse një gjë e tillë do ishte e vërtetë asgjë nuk do justifikonte aktin e rëndë të vetëvrasjes.

“Unë nuk e di se ka patur një lidhje tjetër vëllai po sikur të ketë patur edhe 20 lidhje ai veprim nuk është asnjëherë i justifikueshëm sepse është një ngjarje e rëndë. Në dijeninë time nuk di të ketë patur lidhje jashtëmartesore”, përfundoi Edison Arrazai.

Deri më tani janë gjetur trupat e dy vajzave, e ndërsa vijojnë kërkimet për nënën dhe djalin e vogël.

Kur kanë kaluar pothuajse 48 orë nga ngjarja që tronditi opinionin publik, janë ende të paqarta arsyet e kësaj ngjarjeje. Policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet duke marrë në pyetje familjarë të Alma Arrazit dhe bashkëshortit të saj të ndaluar nga policia nëse kanë dijeni për ngjarjen dhe arsyet që çuan nënën bashkë me 3 fëmijët që të mbyten në ujërat e lumit Drin.