June 5, 2024
Aktualitet Denonco Lajmi i fundit Më të lexuarat

Deliallisi, Nallbati dhe Jaupi, 3 “kokat” e Policisë së Shtetit në SPAK

Tre drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit kanë përfunduar në dyert e SPAK.

Këtë herë bëhet fjalë për Drejtorin e Departmentit për Policinë Kriminale Neritan Nallbati dhe Rebani Jaupi Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, të cilët, sipas disa mediave vendase online, janë drejtuesit e lartë të radhës nga policia, të cilët duket se nuk i kanë fort punët mirë me ligjin.

Mësohet se ata janë thirrur mbrëmjen e vonë të 25 prillit për të dhënë sqarime lidhur me përgjimet e Sky Cc dhe Encro Chat larg vëmendjes së mediave.

Neritan Nallbati
Neritan Nallbati

 

Ende nuk ka detaje për deklarimet e tyre, por kujtojmë se Neritan Nallbati është një nga drejtuesit e shumëpërfolur për lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.

Neritan Nallbati, i përjashtuar nga Policia e Shtetit më 25 nëntor 2003, për lidhje me grupet kriminale në Elbasan, kur ishte drejtor policie i këtij qarku.

Nallbati u rikthye në polici në muajin tetor 2013, përsëri Drejtor Policie i Qarkut Elbasan, ku aktiviteti i tij në mbështetje të narkotrafikut ndërkombëtar kulmoi me rastin “Xibraka”.

Edhe pse me një pasuri të pajustifikuar Nallbati kaloi vettingun në shkurt të këtij viti, në një proces të dyshimtë për mënyrën e verifikimit të pastërtisë së figurës.

Ndërkohë emri i Rebani Jaupit doli në përgjimet e Sky Cc dhe Encro Chat pas arrestimit të biznesmenit Pellumb Gjoka dhe Drejtorit të Operacionales Oltion Bistri.

Rebani Jaupi
Rebani Jaupi

 

Sipas bisedave të zhvilluara mes biznesmenet Gjoka dhe Oltion Bistrit, Jaupi favorizonte biznesmenin për të mos ushtruar kontrolle në aktivitetin e paligjshëm.

Në atë kohë Rebani Jaupi ishte Drejtor i Policisë së Tiranës dhe informacionet që vinin për Pëllumb Gjokën kishin të bënin me një operacion të quajtur “Fati i lojrave”.

Bistri dilte garant për pikën e Pëllumb Gjokës për ta hequr nga lista e kontrolleve për lojerat e paligjshme të fatit.

Prej kohësh kupola Drejtuese e Policisë së Shtetit akuzohet për përfshirje në aktivitet kriminal, ndërkohë që një gjë të tillë e konfirmoi edhe vetë kreu i SPAK Altin Dumani, gjatë raportit për KLP, ku theksoi se shumë prej operacioneve nuk mund të kryheshin në bashkëpunim me Policinë e Shtetit për shkak të përfshirjes së oficerëve të lartë me krimin e organizuar.

Mirëpo skandalet nga radhët e Policisë së Shtetit sa vijnë dhe shtohen dita-ditës, teksa prej tyre nuk janë imunë krerë të lartë të drejtorive vendore të policisë, njëra prej të cilave është edhe ajo e Durrësit.

Një nga figurat më të përfolura e të njohura për lidhjet e tij me krimin është edhe Komisar Bujar Deliallisi, Zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, i cili mësohet se po ashtu është thirrur nga prokurorët e SPAK.

Bujar Deliallisi
Bujar Deliallisi

 

Deliallisi, një emër i përkrahur dhe një investim i drejtpërdrejtë i grupeve kriminale të Durrësit, është personi përgjegjës që merret me pastrimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike të këtyre grupeve dhe e gjithë kjo nën mbrojtjen politike drejtëpërdrejtë të Partisë Socialiste.

E ajo që dëshmon mbrojtjen e krahëve të numrit 2 të krimeve në qytetin bregdetar është fakti se, është e vetmja zëvendësdrejtori me gradën ‘Komisar’, si manovër për ta shpëtuar indirekt nga kthetrat e ligjit dhe ndjekjes penale nga drejtësia.

Një emër, i cili është i përfshirë edhe në përgjimet e SKY ECC, por që nuk i luan as qerpiku nga ligji dhe rrahja e shpatullave nga partia në pushtet.

Të gjitha këto skandale në radhët e Policisë së Shtetit, që po denoncohen dita ditës e që punojnë pa frikë e pa ndrojtje, duket se nuk do të marrin asnjëherë ndëshkimin e merituar, për aq kohë sa ‘ata lart’ u rrahin shpatullat e i mbrojnë, duke qenë të përlyer kokë e këmbë të gjithë bashkë në llumin e padrejtësisë dhe përfitimit e pasurimit nën kurrizin e qytetarëve dhe duke u fshehur pas kostumit zyrtar dhe gradave të kapeleve.

Një gjë është e sigurt: Me të tillë njerëz në krye të institucionit, që paguhet për të mbrojtur jetën e shqiptarëve, jo vetëm jetën nuk e kemi të sigurt në këtë vend, por kjo ‘legjitimon’ edhe marrjen e valixheve për t’u larguar që këtu, ende pa të trokitur në derë kthetrat e krimit të pandëshkuar…

Redaksionale shqipnews.info