Policia e Fierit njofton se ka parandaluar në kohë përshkallëzimin e një konflikti mes disa personave, të komunitetit Rom, ndërsa ka vënë në pranga një 25-vjeçar, i cili qëlloi me armë zjarri tip kallashnikov, për të kërcënuar njërin prej personave të tjerë të përfshirë në këtë sherr.
Ngjajra ka ndodhur në fshatin Levan, ndërsa sipas policisë në konflikt janë përfshirë shtetasi Andon Muharremi, 25 vjeç, i cili është konfliktuar fizikisht, për motive të dobëta, me shtetasin Pano Osmani, 35 vjeç dhe me disa shtetas të tjerë. Më pas, 25-vjeçari ka marrë në banesën e tij, një armë zjarri kallashnikov me të cilën ka qëlluar për të kanosur 35-vjeçarin.
“Fier, ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë parandaloi përshkallëzimin e një konflikti të çastit mes disa shtetasve. Kapet dhe vihet në pranga 25-vjeçari që qëlloi me armë zjarri, për të kanosur njërin nga shtetasit e përfshirë në konflikt. Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov.
Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Levan, Fier, disa shtetas po konfliktoheshin me njëri-tjetrin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes ku si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë dhe arrestimin e shtetasit A. M., 25 vjeç, banues në Levan.
Ky shtetas është konfliktuar fizikisht, për motive të dobëta, me shtetasin P. O., 35 vjeç dhe me disa shtetas të tjerë. Më pas, 25-vjeçari ka marrë në banesën e tij, një armë zjarri kallashnikov me të cilën ka qëlluar për të kanosur 35-vjeçarin.
Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.”, thuhet në njoftimin e policisë së Fierit.