May 27, 2024
Aktualitet Lajmi i fundit

Opozita në protestë, policia përforcon masat, bllokohet qarkullimi në bulevard

Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për të garantuar rendin publik dhe sigurinë për shkak të protestës së opozitës të thirrur nga “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, ditën e sotme, 7 maj 2024, ora 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës.

Sipas policisë sot, prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye Policia sugjeron që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

“Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime”, njofton Policia.

Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune.