October 2, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, gjykata ekzaminon pamjet filmike

Në seancën e sotme në Apel ndaj Arbër Paplekajt, të akuzuarit për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, gjykata po njihet me akt-ekspertimin e ri të ngjarjes, të plotësuar me ekzaminimin e pamjeve filmike.

Sipas ekspertëve, referuar analizimit të pamjeve video të ngjarjes, viktima Pjerin Xhuvani mbërrin në vendngjarje i shoqëruar nga disa persona.

“Konflikti i armatosur fillon nga pozicioni ku është viktima. Reagimi i të pandehurit që tërhiqet besojmë se ka identifikuar qitësa”, thanë ekspertët.

Duke analizuar në sinkron edhe gëzhojat e gjetura në vendngjarje, ekspertët thanë se Pjerin Xhuvani ka pasur në krah një qitës, jo më larg se 1-2 metra.

“Në trupin e viktimës faktor plotësues që mund të jetë kontaminuar nga një qitës pranë tij”, thuhej në konkluzionet e ekspertëve.

Apeli ka mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe i ka dhënë kohë për konkluzionet përfundimtare palëve, avokatëve dhe prokurorit duke caktuar seancën e radhës, që të mbahet në orën 10:30 të datës 24 maj.