Pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i këtij grupi, Gazment Bardhi ka bërë një bashkëbisedim me gazetarët, ku ndër të tjera u shpreh se, kryeministri Edi Rama po mban peng integrimin evropian të Shqipërisë.
Bardhi theksoi se kreu i qeverisë është i përfshirë vetë në korrupsion, duke thënë se më së paku nuk di që të zgjedhë bashkëpunëtorët e tij.
“Edi Rama është kryeministri më i korruptuar në botë, që nuk mban përgjegjësi për askënd, nuk mban përgjegjësi për firmat që hidhen në dokumentet shtetërore, i del për zot çdo afere korruptive.
Do të kishim dashur të besonim se ky kryeministër qenka i paaftë, por vetëm këtij i ndodh që këtij të gjithë bashkëpunëtorët i dalin në fund si hajdutë. Ka pasur në mënyrë të vazhdueshme një tentativë për të fshehur vjedhjen.
Më e pakta është që ky kryeministër është i paaftë për të zgjedhur bashkëpunëtorët, dhe për këtë që sigurisht që ka përgjegjësi politike, por më së shumti kur bën çdo tentativë për të mbuluar korrupsionin, padyshim që është edhe vetë i përfshirë.
Ta lidhësh pastaj këtë çështje me integrimin evropian, ku ke bllokuar për vite të tëra procesin e integrimit, kur të gjithë e dimë që integrimi evropian është vonuar 11 vite nga keqqeverisja e Edi Ramës, mungesa e reformave shtetformuese dhe shndërrimi i korrupsionit në model zgjedhjeje të cdo sektori qeverisës.
Në fazat ku jemi në procesin e integrimit, nëse e detyron Edi Ramën të hedhë hapa të vonuar në drejtim të njohjes së rolit të Kuvendit në këtë proces, kjo padyshim që nuk është zgjidhje e tij ky nuk mund të shitet si një zgjedhje e tij, por si një detyrim me përcaktim.
Edi Rama as nuk dëshiron dhe as nuk arrin dot të ndërtojë dot një shtet evropian dhe ndërton një qeverisje në dobi dhe shërbim të qytetarëve.
Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur me Edi Ramën. Integrimi evropian i vendit është prioritet kombëtar që do duhet të bëjë bashkë të gjithë demokratët, socialistët e ndershëm, apo qytetarët e paangazhuar që duan vërtet që ky vend i bekuar nga zoti të mos ndëshkohet nga papërgjegjshmëria e politikanëve të korruptuar.
Janë këta politikanë si Edi Rama që duan të mbajnë peng integrimin e vendit, sikurse ka ndodhur në këto 11 vite keqqeverisje.“, u shpreh në fjalën e tij me gazetarët, Gazment Bardhi.