May 13, 2024
Tirana, Albania
Lajmi i fundit Sport

Finale me “shije” shqiptare, Gjimshiti-Xhaka “përplasen” në Europa League

Gjimshiti vs Xhaka, dy shqiptarë të mëdhenj, dy kapitenë, dy lider të vërtetë do të përplasen ndërmjet tyre në finalen e Europa League. Për tifozët kuqezi kjo është një ngjarje shumë e bukur, të shohësh përballë njëri-tjetrit dy personalitete kaq të spikatur ka një shije të veçantë, për pjesën tjetër të opinionit sportiv kjo është një finale ku për herë të parë në histori shkon Atalanta, ndërsa përballë do të kenë ekipin e momentin në Evropë, të pamposhturit e Bayer Leverkusen.

Gjimshiti udhëhoqi prapavijën bergamaske në një edicion të madh në Evropë, duke kaluar edhe pengesa të pabesueshme si përballja dyshe me Liverpool, në shumicën e raste u vlerësua si lojtari i ndeshjes, siç ndodhi kundër Salah me shokë. Gjimshiti tani po përjeton një ëndërr të vërtetë, pas Kupës së Italisë, kjo është finalja e dytë ku do të marrë pjesë, ka një shans të shkëlqyer për të fituar një trofe të rëndësishëm në karrierën e tij.

I njëjti diskutim edhe për djalin nga Prishtina, Granit Xhaka, Në vitin e tij të parë te Bayer Leverkusen, Xhaka mori prej dore ekipin e Alonso-s duke udhëhequr mesfushën e “aspirinave”. Me shumë klas, personalitet në fushë, një lider i vërtetë, Xhaka është pa diskutim një nga lojtarët më të rëndësishëm në këtë sezon ëndrrash që po zhvillon Leverkusen. Pasi futën në xhep titullin e parë në histori, Leverkusen dhe Xhaka kanë në dispozicion edhe dy finale për të bërë një mbyllje fantastike këtij sezoni.