September 11, 2024
Bota Lajmi i fundit

Një grua Presidente në RMV. Retorika nacionaliste e antishqiptare, çfarë pritet nga liderët e rinj

Për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë në vitet ‘90, Maqedonia e Veriut zgjodhi një grua për Presidente të shtetit. Profesoresha universitare dhe avokatja Gordana Silanovska-Davkova, e cila mbështetet nga partia e djathtë opozitare, VMRO-DPMNE, tha pas fitores se do të jetë Presidente e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike apo partiake.

Fqinjëve u bëri thirrje që ta mbështesin, siç tha, ballkanizimin, ta ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të jenë politikanë të vërtetë. Megjithatë, profesoresha që garoi për postin edhe në vitin 2019, por humbi kundër Pendarovskit, është kritikuar për retorikën nacionaliste gjatë fushatës zgjedhore. Ajo propozoi formimin e një gjykate për luftën e UÇK-së së vitit 2001, një deklaratë e sulmuar si antishqiptare.

Ashtu si lideri i partisë VMRO-DPMNE, edhe Davkova kundërshton ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare, si kushte për zhbllokimin e procesit të integrimit. Megjithatë, është zotuar se nuk do të bllokojë një hap të tillë nëse do të sigurohet shumica prej 2/3 në Parlament.

Në programin e saj e cilëson Marrëveshjen e Prespës që ndryshoi emrin e Maqedonisë në Maqedoni të Veriut si çështje të hapur dhe ka deklaruar se në fjalimet e saj para publikut do t’i referohet vendit si Maqedoni.

Po ashtu, kryeministri i ardhshëm refuzon të pranojë emrin Maqedonia e Veriut dhe ka premtuar të ndjekë linjë të ashpër ndaj Sofjes. Një qëndrim i tillë do ta çonte vendin drejt një qasjeje konfrontuese me fqinjët e do rrezikonte bllokimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ardhja e Mickovskit në pushtet rrezikon të trazojë edhe më shumë marrëdhëniet e brishta ndëretnike për shkak të gjuhës gjithmonë e më agresive që përdor kundrejt partisë më të madhe shqiptare, BDI-së së Ali Ahmetit.