Në takimin e zhvilluar në kuadër të “Ditës së Drejtësisë”, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se qeveria mbështet pa rezerva institucionet e drejtësinë.
“Ma bëni hallall se gjyqtarët nuk i kanë qejf fjalimet e gjata, por do bëjmë si do bëjmë. Pa një drejtësi që mbron të drejtat dhe liritë e qytetarit nuk do kemi kurrë demokraci dhe zhvillim ekonomik. Nuk mund të lë pa përmendur reformën në drejtësi që dita ditës po konsolidon veten dhe po kthen besimin te qytetarët. Do vazhdojmë të mbështesim konsolidimin e një drejtësie të pavarur.
Fakt që sot kemi një sistem drejtësie me një arkitekturë moderne. Kemi ende sfida me të cilat përballemi çdo ditë. Sistemi i drejtësisë të funksionojë si një i tërë, kur flitet për ecurinë e reformës në drejtësi perceptimi shkon te SPAK.
Reforma në drejtësi nuk është vetting dhe SPAK por një ansambël i tërë organesh që kanë për mision kushtetues dhënien e drejtësisë. Në përfundim kam një falënderim dhe një ftesë. Falënderim për punën e mirë që kemi bërë deri tani me konsolidimin e drejtësisë së re. Ftesa e sinqertë është që të vijojmë punën e mirë që kemi bërë deri tani. Presim nga drejtësia të bëjë drejtësinë e munguar prej kohësh”, tha ndër të tjera ministri Manja në fjalën e tij.
Ndërkohë, kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla, në rastin e Ditës së Drejtësisë, tha se Reforma në Drejtësi është më e rëndësishmja që ka ndodhur në Shqipëria pas vitit 1990. Balla tha se sfidë për sistemin e drejtësisë është ende plotësimi i vendeve vakante që mbetën nga vettingu.
“Reforma në drejtësi është reforma më e rëndësishme që ka ndodhur në Shqipëri që prej ’90 e këtej, reforma në drejtësi erdhi si rezultat edhe i përpjekjeve për tu anëtarësuar në BE. Përpjekjet reale për të përmirësuar sistemin e drejtësisë, për pavarësi, efektivitet u arritën vetëm nëpërmjet implementimit të reformës në drejtësi dhe ku u vu theksi për respektimin e pavarësisë.
Aktualisht me ndryshimet ligjore, prokurori është i pavarur dhe i paanshëm dhe i lirë nga çdo ndikim politik dhe garant për këtë është kushtetuta dhe KLP.
Koha në dispozicion të drejtësisë te ka qenë e pakët. Aktualisht prokuroria dhe gjykata po përballen me sfida, sfida e plotësimit të vendeve të mbetura vakante nga vetting. Kemi sfidën e konsolidimit të organeve të reja atë drejtësisë. Krijimi i organeve të drejtësisë sigurona pavarësinë e tyre.”– tha Balla.