May 13, 2024
Tirana, Albania
Kronikë Lajmi i fundit

EMRI/ SPAK konfiskon rreth 1.2 milionë euro pasuri të trafikantit shqiptar në Belgjikë

SPAK ka kërkuar sekuestrimin e rreth 1.2 milionë eurove pasuri të Flamur Sinanajt, i cili rezulton i dënuar në Belgjikë me 8 vite burg për trafik droge dhe 5 mijë euro gjobë për vepra të tjera penale. Bëhet fjalë për apartamente, 10 llogari bankare, motor uji, varkë vetorizine dhe dy automjete “GMC” dhe “Mercedes Benz”.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bazuar në parashikimet e ligjit nr.10 192, datë 03.12.2009,  “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit dhe Korrupsionit nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për konfiskimin e pasurive të shtetasit Flamur Sinanaj dhe personave të lidhur me të.

Shtetasi Flamur Sinanaj, është subjekt i ligjit nr.10 192/2009, pasi në bazë të vendimit nr. 5736 datë 01.12.2010, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor, Antverpen, dega Antverpen, dhoma 8C, është dënuar me 8 (tetë) vjet heqje lirie dhe 5.000 (pesë mijë) Euro gjobë, për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, të llojit kokainë”, “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumentave”, si pjesë e një organizate kriminale, parashikuar nga legjislacioni penal i Mbretërisë së Belgjikës.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.1, datë 09.01.2024, (vendim i cili ka marrë formë të prerë në datën 09.04.2024), ka vendosur konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive të luajtshme dhe paluajtshme, si më poshtë:

  1. Apartament me sipërfaqe 76.5 m2, me adresë rruga  “Muhamet Gjollesha”, Tiranë, blerë sipas kontratës së shitjes, në vlerën prej 70.000 Euro;
  2. Njësi me sipërfaqe 163 m2, me adresë rruga “Muhamet Gjollesha”, Tiranë, përfituar sipas kontratës së shitjes, në vlerën prej 280.000 Euro;
  3. Pasuria e llojit apartament, me sipërfaqe 123 m2, në Rrugën “Reshit Petrela”, Tiranë, blerë sipas kontratës së shitjes, në vlerën prej 15.990.000 Lekë;
  4. 7 (shtatë) llogari bankare në banka të nivelit të dytë në një shumë totale prej 660 854 Euro;
  5. 3 (tre) llogari bankare në banka të nivelit të dytë në një shumë totale prej 7.574.664 Lekë;
  6. Motorr Uji “Yamaha”, tipi motor Deti “Jetski”, viti i prodhimit 2016;
  7. Varkë Vetorizine e përdorur “Yamaha 242X Limited USA”, viti i prodhimit 2017, me gjatësi 7.45 m;
  8. Automjet, marka “GMC”, modeli SIERRA SLT, tipi Kamion, viti i prodhimit 2011;
  9. Automjet, marka “Mercedes Benz”, modeli B180CDI, tipi 146, viti i prodhimit 2012;”.