May 13, 2024
Tirana, Albania
Ekonomi Lajmi i fundit

Mbyllet për mungesë fondesh portali me të dhëna për pagesat buxhetore “Open Spending Albania”

“Open Spending Albania” një data-bazë me të dhëna unike që siguron transparencë për pagesat e buxhetit ka pushuar aktivitetin për mungesë fondesh dhe donatorësh.

Bashkë më të rrezikojnë të mbyllen edhe “Open Corporares Albania” dhe “Open Procurement Albania”, tha Aranita Brahaj, Drejtoresha e “Open Data Albania“.

Ajo tha se prej muajit shkurt 2024, AIS është në vështirësi për fonde për mirëmbajtjen, përditësimin, zhvillimin dhe hapësirën server për Transaksione Thesari.

AIS zotëruese e Open Spending Albania konstaton se mungojnë thirrjet për projekte Antikorrupsion, dhe kërkon ndihmën e donatorëve të mundshëm për mbështetje financiare dhe mundësi aplikimi.

Databaza Transaksione Thesari është një nga instrumentet më të rëndësishme për transparencën e pagesave buxhetore. Përmes Open Spending Albania qytetarët kuptojnë se si shpenzohen paratë e taksapaguesve.

OpenSpending zbardh dhe bën të aksesueshme çdo pagesë nga institucionet Buxhetore drejt klientëve nga 2012 e në vijim. Gazetarët dhe Aktivistët më të guximshëm në vend përdorin të dhënat e Thesarit për të denoncuar raste keqpërdorimi, korruspsioni, klientelizmi dhe konflikti interesi.

Shumë raste të abuzimeve publike edhe në periudha zgjedhore janë zbardhur përmes transparencës së mundësuar nga kjo databazë e mirë-strukturuar.

“Institucioni i Auditit Suprem gjithashtu përdor databazës për të hartuar planet e vlerësim riskut dhe auditimit” tha Brahaj.

Open Spending Albania konstaton se mungojnë thirrjet për mbështetje financiare për projekte Watchdog (kontrolli) dhe Antikorruspion, dhe kërkon ndihmën e donatorëve të mundshëm për mbështetje financiare dhe mundësi aplikimi për grant.

Spending Data Albania është instrument i krijuar nga ekipi programues, ekonomistë dhe aktiviste Antikorruspion pranë AIS/OpenDataAlbania.

Në vitin 2016 – 2018 ky instrument i rëndësishëm u mbështet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës si pjesë e aktiviteteve dhe instrumenteve të Projektit Money, Government and Politics ndërsa në periudhën 2021 – 2023 u mbështet nga Ambasada Suedeze përmes Programit Open Data Access and Transaprency over Sectors exposed to Risk of Corruption.

Për 2024 e vijim Organizata AIS edhe pse ka aplikuar, nuk ka mundur të sigurojë ri-financim për të vijuar punën në ndihmë të aktivistëve dhe gazetarëve.

AIS Albania i bën lehtësisht të përpunueshme të dhënat mbi pagesat buxhetore, prokurimet publike etj dhe shpesh është burimi i vetëm për grupet kërkimore dhe më gjerë. Brahaj shpreson në sigurimin e shpejtë të financimeve dhe rikthimin serish online./MONITOR