Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bisede telefonike me homologun britanik Rishi Sunak mëngjesin e së premtes.
Siç bën të ditur zyra e shtypit të qeverisë britanike, dy liderët diskutuan ndër të tjera për “marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, duke vënë në dukje bashkëpunimin e rëndësishëm dypalësh duke përfshirë tregtinë dhe investimet.”
Siç bëhet e ditur, Sunak foli për progres në partneritetin Shqipëri-Britani sa i përket emigracionit.
“Të dy liderët ranë dakord se ka shumë punë për t’u bërë për të trajtuar sfidën e migracionit të paligjshëm në Evropë dhe mezi prisnin ta diskutojnë më tej këtë në takimin e Komunitetit Politik Evropian në Mbretërinë e Bashkuar në korrik,” thuhet në njoftim.
Gjatë bisedës, Rama dhe Sunak folën edhe për rëndësinë e sigurimit të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor e më konkretisht në Bosnje Hercegovinë dhe Kosovë.