Rrjetën e amnistisë mes 1300 të dënuarve duket se kanë çarë edhe disa të hetuar nga SPAK dhe dënuar nga GJKKO. Pavarësisht se shifrat pranohen nga të gjitha palët që ngritën kartonin jeshil, deputetët e PS dhe Rithemelimit nuk janë penduar për votën e tyre pro. Për A2 CNN, disa prej ligjvënësve tregojnë se do vepronin njësoj po të ktheheshin sërish pas.
“Asnjë i dënuar nga GJKKO, as nuk përfiton nga kjo amnisti, as nuk i zbritet dënimi”, deklaroi ministri Ulsi Manja më 4 prill 2024.
“Asnjë subjekt i posaçëm i dënuar nga GJKKO, apo që është në ndjekje penale nga SPAK nuk përfiton nga amnistia”, u shpreh Gazment Bardhi në të njëjtën ditë.
Këto ishin deklaratat e ministrit të drejtësisë dhe kreut të grupit parlamentar demokrat në ditën kur amnistia u votua në Kuvend, duke u zotuar se askush që kishte pasur punë me SPAK dhe GJKKO nuk do përfitonte nga akti humanitar i deputetëve. Por nga shifra zero, më shumë se një muaj pas miratimit të aktit, shifra e përfituesve shkoi në të paktën 8 të dënuar.
“Nga 60 përfitues potencial, 44 janë liruar nga burgu, jo nga amnistia por nga Gjykata e Posaçme. Nga këto vetëm 8 kanë qenë zyrtarë, pra punonjës publik”, tha Bardhi në 8 maj.
“Ata që kanë përfituar nga amnistia, me ulje dënimi dhe që janë dënuar nga GJKKO janë vetëm 8 dhe asnjë prej tyre nuk është simbol i korrupsionit në Republikën e Shqipërisë”, u shpreh manja në 9 maj.
Disa u ndjenë të mashtruar. “Ministri gënjeu me paturpësinë më të madhe”, deklaroi Agron Shehaj.
Por ka të tjerë që i rrinë votës së tyre, kur shohin të dënuarit që kanë përfituar liri para kohe apo ulje dënimi. Ata i thanë A2CNN se nëse do të ktheheshin sërish pas do vepronin njësoj.
“Nuk jam penduar, akt i vonuar, vendim politik, nuk pendohem për votën, është e drejtë kushtetuese…”
Miratimi konsensual në Kuvend mes PS-së dhe Rithemelimit u kundërshtua nga Partia Demokratike zyrtare, ku Lulzim Basha dhe deputetë të tjerë që e mbështesin hodhën dyshime për lirimin me kompromis te subjekteve të hetuara nga SPAK dhe dënuar nga Gjykata e Posaçme.