Jaser Osmani 24-vjeç është personi që mbeti i plagosur nga të shtënat me armë zjarri që u raportuan pasditen e sotme në Shkodër.
Ngjarja ndodhi në shkollën “Salo Halili”, ndërsa ende nuk dihet kush është autori, apo shkaqet e ngjarjes. Paraprakisht dyshohet për një konflikt mes palëve. Policia sqaron se Osmani ka marrë një plumb në kofshë dhe është nisur drejt spitalit për ndihmë mjekësore ku raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sakaq kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit si dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 16:00, në lagjen Salo Halili, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit është plagosur në kofshë me armë zjarri pistoletë shtetasi J. O., 24 vjeç, i cili po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet për kapjen e autorit.
Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.