Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ekzekutimi i 32-vjeçarit Roan Brahimi në Greqi. Mediat greke kanë publikuar një tjetër version të rindërtimit të skenës së krimit, ku thuhet se autorët e kanë vëzhguar prej disa orësh viktimën derisa kanë gjetur momentin e duhur për të sulmuar. Dyshohet se autorët kanë rezervuar një vend parkimi për Brahimin në vendin e ngjarjes pasi e dinin që do të vinte aty. Sipas një dëshmitari okular, motoçikleta me të cilën udhëtonin autorët ishte e parkuar në vendin ku ndodhi ekzekutimi.
Autorët kanë parë Brahimin duke ardhur dhe bashkë me motoçikletën e tyre kanë lëvizur pak metra larg vendit të ngjarjes, duke lënë kështu të lirë parkimin që do të shërbente si joshje për 32-vjeçarin nga Shqipëria. Sapo Brahimi ka parkuar mjetin, autorët janë afruar dhe kanë zbrazur armën duke e lënë të vdekur të vend, dhe duke plagosur bashkëshorten e tij Katerina Beqo. Ndërkohë më herët po të njëjtat burime konfirmuan se autorët mbanin nën vëzhgim prej disa kohësh familjen e viktimës.
Kush ishte Roan Brahimi?
Roan Brahimi nuk është emër i panjohur për drejtësinë dhe policinë shqiptare. Kjo pasi Brahimi është një nga personat që dyshohet se ka pasur gisht në antetatin ndaj Ylli Ibrahimit, ku vdiq Klisman Preçi. Roan Brahimi është shpallur në kërkim për terrorin që shkaktuan në një lokal në Zejmen të Lezhës ku u futën të armatosur me kallashnikov duke kërkuar pronarin, ngjarje e ndodhur në vitin 2021. Si autorë të së njëjtës ngjarje, janë shpallur në kërkim edhe nipi i deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja, Ramazan Rraja dhe Alesio Dobrozi.
Klisman Preçi dhe Ylli Ibrahimi po lëviznin me një mjet të blinduar, por 108 plumba blindshpues arritën që u futen brenda mjetit. 28-vjeçari Preçi u qëllua i pari, në momentin që ka zbritur nga makina. Pas tij, Ylli Brahimi ka hapur derën dhe ka tentuar të dalë nga mjeti në të cilin ishte si pasagjer, por përballë të shtënave pa ndërprerje që kanë zgjatur afro 3 minuta, ai ka hyrë sërish në makinë për t’u mbrojtur nga plumbat. Preçi humbi jetën ndërsa Ibrahimi mbijetoi. Para prokurorëve, Ibrahimi nuk ka dhënë asnjë detaj nga ngjajra e ndodhur.
Sipas dokumentave sekrete të policisë, gjithçka thuhet se lind pas një konflikti që Roan Brahimi kishte me Ylli Brahjan. Ku ky i fundit, sipas dokumentave të prokurorisë, mendohet se e ka çuar Roan Brahimin në një nga bazat ku ishin Ervis Martinaj dhe njerëzit e tij të besuar. Bazë që ndodhet në afërsi të Fushë Kuqes, ku mendohet se Rohan Brahimi është dhunuar në mënyrë barbare. E gjitha kjo për borxhet që lidheshin me lojërat e fatit. Me daljen e tij gjallë nga aty, ai thuhet se ka paralajmëruar Ylli Brahjan se “nuk ja falte kurrë atë që i kishte bërë”.
Roan Brahimi po ashtu dyshohet se ka qenë i përfshirë në atentatin ndaj Brilant Martinaj, kushëriri i Ervis Martinajt. Ky i fundit rezulton i zhdukur prej kohësh. Bashkë me Brilant Martinaj humbën jetën dhe dy miqtë e tij, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata, të cilët u ekzekutuan egërsisht. Ngjarja kriminale ndodhi më 17 korrik në 2022 në mbikalimin e Fushë-Krujës.