June 5, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

Vrau gruan para një viti në Itali/ Shqiptari dënohet me 27 vite burg, do të paguajë edhe 770 mijë euro dëmshpërblim

Gjykata italiane ka vendosur dënimin me 27 vite burg për Selami Bodin, i cili mbyti bashkëshorten e tij, Etleva Bodin gjatë natës së 28 tetorit të vitit të kaluar

 

Sipas mediave italiane, ishte kryetari i gjykatës së shkallës së lartë, Franco Greco, i cili dha dënimin, ndërkohë që prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm. Përveç dënimit penal, i akuzuari është urdhëruar që të paguajë dëmshpërblim prej 770 mijë euro për palët civile të përfshira në gjykim.

 

Si ndodhi ngjarja?

 

Gruaja ndodhej në dhomën e saj dhe po fliste në telefon. I shoqi e kishte dëgjuar duke folur, hapi derën dhe i vuri duart në fyt duke u përpjekur ta mbyste. Më pas, kur kuptoi se 31-vjeçarja nuk merrte më frymë, ai vetë bëri thirrje për ndihmë. Katër fëmijët e çiftit, të moshës nga 5 deri në 11 vjeç, po flinin në dhomat e tyre.

 

Pas mbi një orë përpjekje, punonjësit e shëndetësisë që kanë shkuar me shpejtësi në vendngjarje kanë arritur ta ringjallin gruan, por gjendja e saj ishte kritike. E transferuar në spital me kodin e kuq, zemra e saj pushoi së rrahuri pas 48 orësh. Bashkëshorti i viktimës, u transferua në burgun Marassi (Xhenova), i akuzuar për vrasje të rëndë për shkaqe të parëndësishme.