September 11, 2024
Politikë

“Me grekët ndamë bukën”, Spiropali në takimin me emigrantët: Ju e keni bërë Shqipërinë më të madhe dhe më të fortë

Në takimin me emigrantët në Greqi ka mbajtur fjalën e saj dhe ministrja e shtetit, Elisa Spiropali. Ajo ka pasur një mesazh të fortë për emigrantët, duke vënë theksin se sot shqiptarët në Greqi nuk janë më “ato kriminelët” siç i etiketonin para shumë vitesh, por njerëz punëtorë dhe me dinjitet që meritojnë të respektohen.

 

“Sa shumë ka ndryshuar koha e shqiptarëve dhe Shqipërisë. Ju e keni bërë Shqipërinë më të madhe dhe më të fortë. Sa herë vë këmbën në Greqi më vjen në mendje kur perdja e hekurt e komunizmit ra. Papritur kuptuam se ishim të varfër dhe të pa ngrenë, ishim të vetëm në një botë të madhe. Atëherë Greqia, fqinji ynë shekullor u shfaq pas asaj perde që dukej si toka e parë. Krah grekësh fisnik e zemërgjerë ndanë me ne bukë e kripë”, u shpreh ministrja.

 

Në kohët e fundit marrëdhënia e Shqipëria dhe Greqisë nuk ka qenë në kulmet e saj, për shkak të arrestimit të Fredi Belerit që Athina zyrtare e konsideron si një arrestim politik. Për këtë, Spiropali ka pasur edhe një mesazh.

 

“Fërkime dhe keqkuptime, mëri të vjetra në kufirin dikur të heshtur mes dy vendeve nisën të riluajnë si në një pllakë gramafoni kërcitje të forta. Sot ajo pllakë gramafoni vazhdon të rrotullohet, por kërcitjet e gjilpërës se gramafonit nuk i kalojnë dot korridoret e politikës së ditës”, tha Spiropali.