Para takimit me shqiptarët këtë të diel në Athinë, media greke “Kathimerini” ka publikuar një intervistë të shkurtër me kryeministrin Edi Rama, i cili ndër të tjera komenton marrëdhëniet me homolun e tij grek.
“Kyriakos është kryeministri i Greqisë, është një mik që e respektoj shumë”, shprehet Edi Rama. Ai pohon gjithashtu se është kryeministri grek që, më shumë se çdo paraardhës i tij, me të cilin ka punuar, është vërtet i interesuar për forcimin e marrëdhënieve greko-shqiptare.
Rama ka deklaruar gjithashtu se plani për fjalimin e tij në Athinë nuk përfshin asgjë për rastin e Fredi Belerit. “Duam ta bëjmë drejtësinë të pavarur nga pushteti politik për herë të parë që kur Shqipëria shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane”, thekson kryeministri shqiptar.
Zbarkimin e ekzekutivit shqiptar në Athinë e kanë konfirmuar edhe mediat greke, me Protothema që raporton se Edi Rama do të shoqërohet nga afërsisht 150 persona, ku bëjnë pjesë ministra, deputetë, kryebashkiakë dhe gazetarë.