Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me emigrantët shqiptarë në Athinë tha se shumë u çuditën dhe shumë u mërzitën për organizimin e këtij takimi duke pohuar se ka patur pengesa. Ai shtoi se ka shkuar të flasë me qytetarët e barazvlefshëm të Greqisë pasi shqiptarët nuk janë më siç mbërritën pas rënies së komunizmit.
“Faleminderit nga zemra për këtë mikpritje kaq prekëse, në këtë strehë kaq të madhe. Entuziazmi juaj më përul, por mbi të gjitha jeta dhe vepra juaj më mbushin me frymëzim. Ju jeni bërë shëmbëlltyra e jashtëzakonshme e krenarisë tonë në këtë pjesë të Evropës.
Disa këtu në Greqi u çuditën, të tjerë u mërzitën, ndonjë edhe tha se unë nuk duhet të vija për vizitë tek ju, por mbase kur ta shohin këtë shfaqje gëzimi familjar ata do kuptojnë që nuk kam ardhur të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm, por kam ardhur të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie. Kam ardhur të flas me qytetaret e barazvlefshëm të Greqisë. Shqiptarët nuk janë më të leckosur, por janë krenarë të Shqipërisë”, tha Rama.