October 2, 2024
Aktualitet Lajmi i fundit

Balla thirrje autorit të vrasjes së policit në Fier të dorëzohet: E papranueshme të përdorësh armën ndaj një efektivi

Pas drejtorit të Policisë së Qarkut të Fierit, edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla i ka bërë thirrje familjarëve dhe autorit të vrasjes së efektivit të Policisë Nevruz Cenaliaj, që të dorëzohet menjëherë në Polici. Në një deklaratë për mediat pas takimit me ministrin gjerman, Johann Saathoff, Balla theksoi se të gjitha informacionet janë paraprake dhe kërkoi arrestimin sa më parë të autorit.

“Gjithçka është informacion paraprak, ende nuk dihen arsyet e kësaj ngjarjeje, por përgjegjësia që bie mbi policinë është identifikimi i menjëhershëm i autorëve. Kam besim se forca kombëtare e sigurisë, forcat Renea e të gjitha forcat e policisë që janë në këtë proces, në këtë operacion kërkimi të konkludojnë dhe këtu dua t’i bëj një thirrje familjarëve dhe vetë personit mbi të cilin rëndon akuza të dorëzohet”.

Balla theksoi se është e papranueshme që të ngresh dorën dhe aq më keq armën ndaj një punonjësi policie.

“Siç jam informuar nga drejtorët që janë në terren, dua që të shpreh dhimbjen që ndjej për humbjen e jetës së një punonjësi policie dhe të nxisë drejtuesit e policisë që të bëjnë gjithçka për arrestimin një orë e më parë të autorit. Ne do bëjmë gjithçka që në këtë vend të ngulitet mirë në mendjen e kujtdo; që është e papranueshme të ngresh dorën ndaj një punonjësi policie dhe aq më keq të përdorësh armën ndaj një punonjësi policie”.